Tensione të skajshme që ndonjëherë janë kufizuar edhe me mundësi për ballafaqim fizik, presion i madh ndërkombëtar dhe frika nga një luftë totale qytetare.
Kjo ka qenë atmosfera në të cilën janë zhvilluar negociatat dyjavore mes palës shqiptare dhe maqedonase për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, të cilën në një intervistë për TV Klan e zbulon, ish sekretari i përgjithshëm i Partisë për Prosperitet Demokratik, Naser Zyberi, se një nga pjesëmarrësit më aktiv në negociatat për arritjen e marrëveshjes së Ohrit.
Si pika më të nxehta në negociatat mes palës shqiptare dhe maqedonase Zyberi e përmend çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe.
Naser Zyberi: “Momente kulminante gjatë negociatave kanë qenë më tepër. Një nga ato e përmenda pra, mënyra si u përmbyllën negociatat dhe ngjarjet…E dyta ka qenë çështja e përdorimit të gjuhës, kapacitetit të gjuhës, rreth së cilës u zhvilluan tre ditë negociatat të pandërprera rreth amendamentit pesë, i cili është jashtëzakonisht kontestues për ne dhe mendoj se është jashtëzakonisht limitues dhe për t’i debllokuar negociatat rreth kësaj çështje u desh që të vijnë prej Brukseli zoti Javier Solana dhe zoti Xhorxh Robertson”.
Zyberi si gabim të madh e përmend mospjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare kombëtare në Negociata dhe mosnënshtrimin e këtij dokumenti nga ana e përfaqësuesve të UÇK-së.
Ai thotë se marrëveshja përmban shumë mangësi dhe në vete nuk ka përfshirë shumë gjëra të rëndësishme për shqiptarët.
Naser Zyberi: “Marrëveshja në një farë mënyre e papërmbyllur u nënshkrua dhe u mbyll dhe si rezultat i kësaj padyshim që mbeten shumë çështje të parregulluara. Çështja e arsimit superior nuk u definua me kushtetutë dhe universiteti i Tetovës është rezultat i marrëveshjes politike, por jo si e drejtë e garantuar kushtetuese”.
Tetë vite pas nënshkrimit të saj Zyberi thotë se marrëveshja e Ohrit nuk mundet t’i përmbushë të gjitha kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë, andaj vlerëson se në të ardhmen duhet të kërkohen forma të reja për avancimin e kësaj marrëveshje. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al
Gazetar: Isen Saliu