Drejtori i Doganave të Maqedonisë, Vanço Kargov gjatë tre viteve sa është duke udhëhequr këtë institucion në vazhdimësi ka sabotuar parimet e marrëveshjes së Ohrit për përfaqësim adekuat të shqiptarëve.
Kargov ka shkuar aq larg saqë në webfaqen e drejtorisë së doganave ka publikuar ligjin për doganat, pa nenin ku thuhet se gjatë punësimeve dhe emërimeve të funksionarëve në dogana duhet të respektohet parimi i Marrëveshjes së Ohrit për përfaqësim adekuat të bashkësive etnike.
Si rezultat i politikës së këtillë, gjatë tre viteve të kaluara, në doganat e Maqedonisë janë punësuar gjithsej 252 persona, prej të cilëve vetëm tre janë shqiptarë.
Përfaqësimi aktual i shqiptarëve në këtë institucion është vetëm 10%, kurse në hierarkinë udhëheqëse shqiptare është vetëm zëvendësdrejtori.
As në qeveri e as në Ministrinë e Financave gjatë ditës së martë nuk janë prononcuar nëse do të ndërmarrin masa ndaj drejtorit Kargov për sjelljen e tij sa i përket përfaqësimit adekuat të shqiptarëve.
Vetë Kargov, në bisedë telefonike nuk ka komentuar shkaqet për mospërfilljen e marrëveshjes së Ohrit, por ka akuzuar zëvendësdrejtorin shqiptar se i ka përgatitur kurth. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al
Gazetar: Isen Saliu