Edhe pse kanë ndarë të njëjtat përjetime në vijën e frontit përderisa janë zhvilluar negociatat në Ohër, ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në mënyrë të ndryshme e kanë përjetuar nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit.

Kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku, i cili ka qenë anëtar i shtabit të Brigadës 113 të UÇK-së, thotë se nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit ka kënaqur pjesën më të madhe të qytetarëve shqiptarë.

Sadulla Duraku: “Shumë ka qenë i mirëpritur nga ana e kësaj ane që do të bëhet një marrëveshje dhe ndërprerja e konflikti që mos të zgjerohet dhe më gjerë në republikën e Maqedonisë. Ishte një marrëveshje që ka dalë nga forcat që është konsultuar Ushtria Çlirimtare Kombëtare për këtë marrëveshje dhe nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare, si nga shtabi i përgjithshëm, si nga të gjitha brigadat që ishin konsultuar, ishte e pranueshme, po ishte e pranueshme dhe për qytetarët e këtij vendit”.

Nga ana tjetër Fatmir Hasani, i cili si pjesëtar i UÇK-së me profesion mjek, është kujdesur edhe  për shëndetin e civilëve dhe ushtarëve të plagosur, thotë se marrëveshja e Ohrit është marrëveshje e cunguar dhe lajmin për nënshkrimin e saj e ka pranuar me pikëllim.

Fatmir Hasani: “Marrëveshjen e Ohrit unë si ushtar dhe shumë shokë të mi e pranuam me pikëllim meqenëse shqiptarët edhe atëherë nuk u barazuan. Ne mbetëm si pjesë e popullit shqiptar në kushtetutën e Maqedonisë. Ajo si popull shqiptar dëshironim në atë që për herë të fundit që shqiptarët të barazohen me maqedonët dhe te jemi ne si popull ashtu si dhe maqedonët në Maqedoni. Nuk jemi të kënaqur edhe me këtë marrëveshje të Ohrit se kjo marrëveshje e Ohrit edhe pas tetë vitet e plota ngec në shumë pika.”

Edhe përkundër dallimeve që kanë, edhe Duraku edhe Hasani bashkërisht ndajnë përshtypjen se tetë vite pas nënshkrimit të saj, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit në praktikë është duke u zhvilluar me dinamikë të ngadalësuar. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al

Gazetar: Isen Saliu