Në agjendën tre javore të parlamentit pritet të futet për diskutim dhe më pas miratim dhe projektligji për ngritjen e institutit studimor për krimet e sistemit komunist.
Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e parë e parë të vitit 2009 projektligjin për ngritjen e këtij instituti, një nismë kjo e mazhorancës së djathtë, që pason miratimin nga parlamentit të ligjit të lustracionit, ligj që nuk mori votat e opozitës.
Për kryeministrin Berisha ngritja e institutit studimor që do të bëjë krime të hollësishme mbi të gjithë periudhën 45 vjeçare të komunizmit, do të mund të zbardhë të gjitha krimet monstruoze të aparatit shtetëror të atëhershëm dhe do të njohë shqiptarët me shumë të vërteta mbi krimet e sistemit komunist të pa publikuara deri më tani.
Sali Berisha: “Ajo që është shumë e dhimbshme është se këto 18 vjet liri nuk kanë nxitur ende ndjenjën e faljes, ndjenjën e pendesës. Nuk është e thjeshtë të operohet, por duhet të përpiqesh të ndihmosh, duhet të përpiqesh të ndikosh për një vetëdije më të kthjellët. Dhe ajo që ne kemi zgjedhur, ne nuk kemi zgjedhur as hakmarrje, sepse nuk do ishte gjë tjetër vetëm replikim, ripërsëritja e asaj që ka ndodhur. E vërteta është që s’kemi zgjedhur as drejtësinë, ne kemi zgjedhur si me ligjin e lustracionit edhe me të gjitha vendimet dhe ligjet tjera që do ndërmerren. Ne kemi zgjedhur më së shumti një kufizim të përkohshëm për një grup të caktuar të të drejtave të tyre, krejtësisht të përkohshëm. Kemi zgjedhur një përpjekje të madhe për të kujtuar, për të mos harruar.”
Në mbledhjen e qeverisë kryeministri Berisha ka shpjeguar dhe pikat ku do të përqendrohet puna e këtij instituti studimor.
Sali Berisha: “Studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist. Identifikon aktet ligjore dhe nënligjore, sekrete e jo sekrete të përgatitura apo miratuara nga të gjitha institucionet, organet dhe autoritetet shtetërore dhe kushtetuese, të cilat kanë shërbyer si bazë e organizimit dhe funksionimit të të gjithë aparateve represiv të sistemit komunist. Studion dhe vlerëson objektivisht ndërtimin, organizimin institucional, si dhe veprimtarinë antidemokratike dhe kriminale të strukturave shtetërore të regjimit komunist. Veçanërisht të organeve dhe strukturave të sigurisë së shtetit. Analizon shkaqet dhe rrugët e vendosjes së regjimit komunist, dokumente që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptar, por edhe të huaj, që mbështetën ardhjen e këtij regjimi si dhe atyre që bënë rezistencë kundër tij. Grumbullon të dhëna, dokumente dhe dëshmi që i shërbejnë ndriçimit të veprimtarisë, organeve dhe strukturave të sigurisë së shtetit.”
Gjithashtu instituti synon të informojë publikun mbi krimet dhe rrjedhojat e tjera të luftës së klasave, të sistemojë dhe të botojë kujtimet dhe memoriet e të dënuarave politik në burgjet dhe kampet e përqendrimit.
Një pikë tjetër ku do të mbështetet puna e këtij instituti është publikimi dhe përhapja e materialeve të shkruara në letër dhe në rrugë elektronike, si dhe organizimi i ekspozitave, seminareve, konferencave dhe diskutimeve mbi krimet e komunizmit dhe pasojat e tij në Shqipëri.
Së bashku me projektligjin për ngritjen e institutit, këshilli i ministrave do të çojë në parlament për miratim dhe dy ligje të tjera të rëndësishme. Atë për ngritjen e një obelisku në kujtim të viktimave të komunizmit, i cili mendohet të ngrihet përpara ish-piramidës të diktatorit Hoxha, si dhe projektligjin për hapjen e muzeut të krimeve të diktaturës komuniste.
Sali Berisha: “Ministria e Kulturës do të hapë konkurs ndërkombëtar për një obelisk të cilën e meritojnë…/tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka