Qeveria e Kosovës nuk e pranon përfshirjen e organeve shtetërore të Serbisë në hetimet që po zhvillohen rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ish- lider i Iniciativës qytetare, “Liria, Demokracia, Drejtësia”. Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë se shteti i Serbisë nuk ka dërguar ndonjë kërkesë zyrtare për përfshirje në hetime.

Por, siç thotë ai, askush nuk ka të drejtë nga jashtë që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Republikës se Kosovës, përveç mekanizmave relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, që janë të autorizuar për të siguruar një ambient të sigurt në Kosovë. “Dhe, për të hequr dilemat, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka ftuar eventualisht FBI-në që të jetë pjesë e hetimeve”, ka thënë Matoshi. Oliver Ivanoviq, është qëlluar për vdekje të martën para selisë së partisë se tij, në Mitrovicën Veriore.

Ndërkohë, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, në emër të Qeverisë së Serbisë ka thënë se ka një kërkesë që organet serbe të marrin pjesë në hetimet për vrasjen e Ivanoviqit, të cilat po udhëhiqen nga autoritetet e Kosovës. Ajo ka thënë se pret përgjigje nga misionet ndërkombëtare në Kosovë, përkatësisht nga administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX.

“Nëse nuk lejohemi të marrim pjesë, hetimet për vrasjen do i bëjmë vetë”, ka thënë Brnabiq në një intervistë dhënë Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Por, misioni i EULEX-it në Kosovë, përmes një përgjigje me shkrim ka bërë të ditur se nuk kanë marrë kërkesë nga Serbia. “Misioni i EULEX nuk merr vendime të kësaj natyre. Autoritetet vendore vendosin se a do të përfshihet apo jo Serbia zyrtare në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviq”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Autoritetet në Kosovë, ndërkaq, po i vazhdojnë hetimet për këtë rast. Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në rajonin Mitrovicës së Veriut, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht policia është duke punuar për verifikimin e informacioneve që mund të çojnë në zbardhjen e rastit. “Hetimet që janë duke u zhvilluar me autorizimet e prokurorëve përgjegjës për rastin dhe grupit punës të hetueseve policorë, janë në fazën e përpunimit të të dhënave që ata në vazhdimësi janë duke mbledhur që nga dita e incidentit”, tha Hoti.

Për rastin Ivanoviq, të mërkurën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Lidhur me këtë çështje presidenti Thaçi ka siguruar presidentin Vuçiç se organet përgjegjëse të prokurorisë dhe policisë janë duke bërë hetime intensive për zbulimin dhe sjelljen përpara drejtësisë të atyre që e kanë bërë këtë vrasje”, ka shkruar presidenti Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Vrasja e Ivanoviqit, është dënuar nga institucionet vendore e ndërkombëtare. Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e parë. Ndërkohë që viteve të fundit, është përballur edhe me procese gjyqësore nën akuzat për vrasje dhe krime lufte.

/REL