Qeveria gjermane rrit vlerësimin dhe besimin ndaj ekonomisë shqiptare në klasifikimin e saj të fundit për vitin 2008. Në një njoftim të ambasadës gjermane në Tiranë, thuhet se qeveria gjermane duke parë zhvillimin pozitiv të ekonomisë si dhe përvojën e shlyerjes së pagesave për huat e ndryshme, po përmirëson siguritë e garancive ndërmjet kredive Hermes për eksportet me Shqipërinë.
Ky vlerësim është përshëndetur dhe nga kryeministri Berisha si një akt shumë i rëndësishëm për nivelin e zhvillimit ekonomik i cili hap rrugë e një stadi të ri të bashkëpunimit të gjithanshëm ekonomik mes dy vendeve.
Garancitë Hermes si garanci shtetërore për kredi në fushën e eksporteve janë pjesë e rëndësishme e politikave gjermane për nxitjen e eksporteve vendase. Kreditë ekzistojnë tashmë për bizneset shqiptare afatshkurtra me afat kredie deri në 12 muaj pa kufizime formale.
Ndërsa bizneset më të vogla me afat kredie përtej këtij kufiri mund të përfitojnë garanci rast pas rasti. Veç kësaj ekziston dhe mundësia e garancive për financime projektesh apo financime të tjera të strukturuara. /tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro