Komisioni Evropian po mbështet luftën ndaj korrupsionit në vendin tonë nëpërmjet zbatimit të një projekti që kap vlerën e 2.1 milion eurove.

Ministri i Shtetit, Genc Pollo dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, Helmuth Lohan kanë drejtuar mbledhjen e radhës së komitetit që po implementon strategjinë ndërsektoriale që tenton parandalimin dhe luftimin e korrupsionin si dhe të një qeverisjeje transparente.

Genc Pollo: “Vullneti në luftën kundër korrupsionit ka prodhuar arritje dhe suksese në katër vitet e fundit, çka është njohur jo vetëm nga publiku shqiptar, por edhe nga Komisioni Evropian, më gjerë edhe nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit dhe qeverisë amerikane, Transparency International e kështu me radhë, por korrupsioni ende mbetet një problem dhe luftimi i tij mbetet një sfidë që duhet fituar patjetër. Tani kemi filluar një projekt, financuar nga Komisioni Evropian, me zbatues Këshillin e Evropës”.

Projekti antikorrupsion i Këshillit Evropian në Shqipëri ka nisur Shtatorin e kaluar dhe prek fusha të tilla si gjyqësorin, shëndetësinë, arsimin e tjerë.

Ekspertët evropianë po japin asistencë teknike për zbatimin me efikasitet të luftës ndaj korrupsionit dhe parandalimin e pastrimit të parave./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro