Komision Evropian vlerëson progresin e Shqipërisë në fushën e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, si dhe arritjet e policisë së shtetit në kuadër të zbatimit të objektivave të projektit  Pameka.

Deklarata e diplomatit Helmut Lohan u bë gjatë mbledhjes së katërt të bordit të palëve të interesuara të projektit “Pameka 3”.

Helmut Lohan: “Ne kemi parë progres të rëndësishëm gjatë këtyre 6 muajve. Kemi parë progresin e projektit Pameka, jo vetëm në ecjen e tij përpara por edhe në dhënien e këshillave konkrete. Jam i sigurt se kjo punë e deritanishme do të gjenerojë më shumë sukses në periudhën afatgjatë dhe mendoj se projektet janë tashmë në rrugë të drejtë. Ne kemi patur gjatë kësaj kohe misionet e monitorimit të plotësimit të detyrimeve që lidhen me vizat. Progresi i bërë është raportuar komitetit të Stabilizim-Asociimit. Unë jam i bindur se kolegët e mi në Bruksel e kanë shqyrtuar dhe analizuar këtë progres që ka ardhur në kohën e duhur.”

Në fjalën e tij Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka bërë një përmbledhje të gjithë reformave të ndërmarra në këto 6 muaj.

Lulzim Basha: “Këto 6 muaj kanë qenë po kështu intensive  nën hartimin e miratimin e një sërë aktesh nënligjore, në zbatim të strategjisë 7 vjeçare, por dhe në zbatim të detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Ky në vetvete është një proces i suksesshëm por edhe një proces që gdhend detyrime të reja për policinë e shtetit. Detyrimi që përsëri do të testojmë, kapacitetet e policisë së shtetit për të implementuar një kuadër ligjor dhe rregullator i cili sot ndryshon fare pak me atë të policive homologe në vendet e Bashkimit Evropian.”

Puna e bërë nga policia e shtetit është vlerësuar dhe nga përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme  të Britanisë së Madhe. Sipas tij progresi i arritur është inkurajues dhe entuziast./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani