Varreza masive e zbuluar pranë malit të Dajtit nuk është e vetmja zonë ku janë ekzekutuar kundërshtarë të regjimit të kaluar.

Simon Mirakaj kryetar i Institutit të Përndjekurve Politik tregon se është shumë e vështirë të përcaktohen këto zona pasi edhe në dokumentet e Ministrisë së Brendshme nuk është i përcaktuar vendi i ekzekutimit të tyre.

Simon Mirakaj: “Për fat të keq vende të përcaktuara nuk ka. Unë kam punuar disa kohë në Ministrinë e Brendshme, në arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe atje nuk ka skica. Atje ka dosje gjyqësore, turpi gjykues, prokurori, ka raste që ka një procesverbal, ka raste që ka edhe grupin që ka marrë pjesë në ekzekutim.”

Vendet ku bëheshin ekzekutimet zgjidheshin gjithnjë me shumë kujdes, larg qendrave të banuara ndërsa pushkatimet bëheshin natën.

Së pari bëhej sigurimi i zonës në mënyrë që të burgosurit të mos kishin mundësi të largoheshin dhe preferoheshin zonat e izoluara dhe ato periferike pranë pyjeve ose lumenjve larg syrit të njerëzve.

Në një pjesë të mirë të rasteve pas ekzekutimit trupat transportoheshin në vende të tjera për t’u varrosur.

Simon Mirakaj: “I kanë lëvizur 3 herë varret në Tepelenë dhe herën e tretë i kanë çuar buzë lumit në mënyrë që lumi ti marri eshtrat me vete edhe ashtu ka ndodhur, po në lumin e Bënçës, po kështu në Zall të Kirit, pra i kanë ekzekutuar në lum. Edhe aty ku i kanë ekzekutuat qoftë  në Malin me Gropa apo në Pukë në malin e Tërbunit të Pukës, i kanë ekzekutuar në një vend dhe i kanë lëvizur nga ai vend i kanë çuar në një vend tjetër, në mënyrë që të mos iu gjendet  sepse mund të ketë pasur nga krismat fshatarë apo qytetar që i kanë dëgjuar dhe fshehtas kanë mundur të ruajnë pozicionin.”

Por janë të paktën 8 zona të cilat regjimi komunist i zgjidhte për të eliminuar viktimat e tij.

Zona e Shkodrës është njëra prej tyre në Zall të Kirit dhe pranë shtratit të Bunës. Në Durrës ishte zona e Porto Romanos dhe ajo e Bisht Pallës.

Në Tiranë mund të numërohen rreth 6 vende të tilla ku më të përmendurit janë Mali me Gropa, Mali i Dajtit por edhe Kodra e Priftit.

Në Berat ekzekutimet më të shumta janë bërë në Uznovë dhe buzë Osumit. Në Vlorë vendi i preferuar ka qenë pylli i Sodës, Qafa e Koçiut ndërsa në Gjirokastër preferohej zona buzë Drinos.

Pas vendimit të qeverisë për ngritjen e një komisioni shtetëror për gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve të regjimit, një numër familjarësh dhe të të afërmeve të tyre kanë filluar të interesohen dhe të japin të dhënat e tyre mbi vendndodhjet e mundshme të eshtrave të të afërmve./tvklan.al