Deputetët e parlamentit të ri si dhe pjesa më e madhe e zyrtareve shqiptar nuk do të kenë më privilegjin e të paturit në dispozicion të tyre makinë dhe shofer që paguhen nga buxheti i shtetit.
Kryeministri Berisha ka ripërsëritur në mbledhjen e radhës së qeverisë, e cili siç është kujdesur të theksoj ai nuk do të jetë e fundit e këtij kabineti ministror, se shumë shpejt vendimi për të hequr makinat e zyrtarëve do të ndërmerret me një ligj të posaçëm.
Ky ligj pritet të jetë gati brenda muajit Gusht. Për këtë vendim kryeministri ka deklaruar se ka dhe mbështetjen e pjesëtarëve të tjerë të koalicionit të ri qeverisës.
Sali Berisha: “Duke adaptuar ligjin austriak mbyllim një kapitull të trashëguar nga … Çdo shofer me automjet zyrtar ju kushton taksapaguesve shqiptar rreth 19 mijë dollar në vit. Ky shpenzim për udhëtimet , ky shpenzim transporti është dhe shqiptarët duhet ta dinë, 3 herë më i madh se sa qeveria suedeze u jep deputetëve të parlamentit suedez rreth 600 euro në muaj.”
Por ligji do te parashikoj që për zyrtaret të ketë një bonus të veçantë për transportin, duke shkurtuar shpenzimet aktuale me afro 2/ 3 e shumës që shpenzohet për këtë shërbim.
Sali Berisha: “Nuk është këtu problemi vetëm i një kursimi për të cilin kemi nevojë. Sepse të marra së bashku këto shkojnë rreth 2 miliard lekë në të gjithë vendin dhe për të gjitha entet me radhë, po edhe për to kemi nevojë sigurisht që kemi nevojë, por para së gjithash dhe mbi të gjitha është vendosja e disa kritereve transparente e përjashtimit të mundësisë për të abuzuar me legalen.”
Këshilli i Ministrave ka miratuar në këtë mbledhje dhe ligjin për rregullimin e pronësisë së truallit shtetëror në fshatrat turistik.
Sali Berisha: “Këto zona, fshatrat turistike gjatë këtyre 17 viteve janë zhvilluar në thyerje të plotë të ligjit dhe kontratës mbi të cilin kjo veprimtari është bazuar. Zgjidhja është që borgjezia e re të paguajë me çmim tregu truallin. Zhvilluesit kanë krijuar një evazion të madh fiskal, nuk kanë paguar, nuk janë përgjigjur për të gjitha këto transaksione që kanë bërë autoriteti tatimor. Ligji sot miratohet në parim, ministria e Financave do të vendosë të gjithë tagrat dhe qëndrimin ndaj këtij problemi.”
Me një ligj të posaçëm kryeministri ka deklaruar se do të rregullohet dhe kaosi i krijuar me resortet turistike si shtëpitë apo kampet e pushimit, të cilat iu dhanë në përdorim pas viteve ’90 konfederatave të sindikatave.
Sali Berisha: “Është e domosdoshme që të tëra këto resorte turistike të cilat nuk janë në pronësi të asnjërit sot. Ata që i kanë si kanë në pronësi, pronësia është e shtetit. Të merren, të shndërrohen në shoqëri aksionare ku shteti do të jetë padëshirueshmërisht aksionar. Që në momentin që ato të rindërtohen dhe të bëhen, shteti është i gatshëm t’i shesë ato aksione. Ndryshe po të mos jetë shteti i pranishëm druaj se do vazhdojë bixhozi me këtë pasuri siç ka vazhduar gjatë kësaj kohe.”
Ndërkohë Berisha në këtë mbledhje ka kërkuar sërish hartimin e ligjit për tokat e braktisura.
Duke e ritheksuar se është i nevojshëm adaptimi sa më shpejt i një qëndrimi të ri ndaj tokës së papunuar./tvklan.al
Gazetarja: Elja Zotka