Qeveria Berisha ka kthyer ne ligje disa nga premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale. Shquan premtimi mbi moshën e daljes në pension te minatorëve.
Sikurse e kish theksuar edhe në fushatë, kryeministri Berisha tha se dalja e minatorëve në pension do të ulet me 5 vjet.
Sali Berisha: “Edhe ky ligj shkon në parlament, minatorët në Shqipëri nuk do dalin 65 vjeç, por do të dalin 60 vjeç në pension. Ministria e Financave ka marrë porosinë dhe udhëzimin që të paraqesë skemën e rritjes së pensioneve të tyre.”
Për tatimin e vlerës së shtuar ose TVSH, qeveria vendosi që ajo tu rimbursohet bizneseve brenda një muaji. Premtim që sipas kryetarit te qeverise do t’i japë fund shkeljeve në këtë fushë.
Sali Berisha: “Në rast se brenda një muaji autoriteti tatimor nuk ka rimbursuar TVSH-në, sipërmarrësit i lind automatikisht e drejta për të mos derdhur taksat e tjera. Do mbushë formularin, do ta nis atë, por nuk do derdh gjë gjersa në shumën e TVSH-së. Kjo i jep fund njëherë e mirë arbitraritetit të shtetit, i cili nuk ka qenë i ekzagjeruar, dua të jem fare realist këtu, por nuk dua të ekzistojë.”
Uljen e taksës së tabelës në 1 euro kryetari i qeverisë ua premtoi edhe biznesmenëve të atij që njihet si tregu Çam në Tiranë.
Vendimit të qeverisë i shtohet dhe detyrimi i vendosjes së emërtimeve në shqip përjashtuar këtu filialet e huaja.
Sali Berisha: “Taksa e tabelës do të jetë 1 euro.”
Futja në përdorim e letrave me vlerë në treguan e legalizimeve do të kërkojë ndryshim në ligjin e legalizimeve.
Në këtë të fundit përcaktohet se legalizimi bëhet në vlerë monetare ndaj dhe ndërhyrja në ligj do të synojë përcaktimin, se 80% e objektit për legalizim do të bëhet me letra me vlerë.
Sali Berisha: “Duhet të ndërhyjmë aty në përputhje me premtimin e bërë 80% të vlerës së të gjithë sipërfaqes që i takon në përputhje me ligjin do ta paguajnë me letra me vlerë. Sipërfaqen jashtëligjore që e parashikon ligji me vlerë tregu do ta paguajnë me 50% të saj në letra me vlerë. Është bërë dhe një ndërhyrje jashtëzakonisht e domosdoshme për procesin e legalizimit, është ulur taksa e infrastrukturës. Duke qenë se ky është një proces masiv, është vendosur që kjo taksë të jetë 0.5% e vlerës së banesës për legalizime. Është konstatuar se autoritetet vendore kanë rënduar dorën në mënyrë të jashtëzakonshme dhe kjo ndërhyrje bëhet për ta sjellë në përmasat, në proporcionin e duhur.”
Qeveria mori gjithashtu vendim për rritjen e taksës së tabelës së reklamave në qytete si një vendim që u vjen ne ndihmë qeverive vendore. Po kështu rritje do të pësojë akciza e duhanit dhe pijet alkoolike.
Sali Berisha: “Mëkati taksohet më rëndë. Unë e shoh se po më shihni në sy se ç’është mëkati. Bixhozi është mëkat i pranuar se këta. Nuk po të them ty se këta lozin kam frikë.”
Gjate mbledhjes së qeverisë kryeministri foli për ngritjen e një grupi task force nga ministria e Transporteve që do të monitorojë ato firma të cilat nuk punojnë me tre turne. Berisha kërkoi inspektim dhe ndëshkim të tyre në rast të shkeljes së ligjit.
Sali Berisha: “Konstatohet se një seri firmash nuk punojnë turn i tretë. Koha është më e çmuara për ne. Këta zotërinj, kur fitojnë tendera, këta pranojnë vendimin e qeverisë për 3 turne. Natyrisht ky vendim nuk mund të zbatohet në çdo kohë klimaterike, por tani gjer në tetor ai që nuk e zbaton, ai shkel një igj për të cilin duhet të ndëshkohet në përputhje me ligjin.”…/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi