Një ndër investimet kryesore në infrastrukturën rrugore në Vlorë, rruga e Plazhit të Vjetër ende nuk ka përfunduar. Aktualisht në këtë segment nuk punohet dhe nuk dihet se kur do rifillojnë punimet. Qytetarët thonë për ABC News se rruga vë në rrezik edhe jetën e qytetarëve me gropën e hapur anës saj.

Rruga e Plazhit të Vjetër në Vlorë, duhet të ishte gati për pushuesit dhe jo vetëm. Por pamjet tregojnë krejt të kundërtën.

Këtu jo vetëm që projekti nuk ka përfunduar, por edhe në segmentin që janë kryer punime kanë nisur dëmtimet e para. Ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe. Disa tabela janë të vetmet që kanë mbetur.

Një godinë e pabanuar pengon vazhdimësinë e investimit. Bashkia e Vlorës duhet të dëmshpërblejë pronarët e ndërtesës. Kjo është një ndër arsyet pse mbahet peng një rrugë që mund të ishte vënë në dispozion të qytetarëve.

Gropa e pambyllur në anë të rrugës bëhet e frikshme në orët e natës.

“Shteti të mbyllë gropën se do marrë më qafë djemtë e nënave. Jam i pagjumë, jam i sëmurë, jam i pirë nga dasma. Mbylleni këtë varr”!

“Vajti disa muaj që ata e kanë lënë pengesë për këtë shtëpinë.”

“Këtu fajin e ka bashkia. Komplet bashkia”.

Segmenti rrugor i Plazhit të Vjetër iu nënshtrua një rikonstruksioni që nuk dihet kur mbaron. Si duket për një kohë të gjatë, kjo do mbetet një nga rrugët më të dëmtuara dhe problematike të Vlorës./abcnews.al