Ministria e Jashtme e Rusisë bëri me dije se Bashar al-Assad la detyrën dhe u largua nga vendi pasi dha urdhra për një transferim të paqtë të pushtetit. Reuters raporton se ministria ruse nuk zbuloi se ku ndodhet Assad në këto momente, por tha se Rusia nuk kishte marrë pjesë në bisedime për largimin e tij.

“Si rezultat i negociatave mes B. Assad dhe disa pjesëmarrësve në konfliktin e armatosur në Republikën Arabe të Sirisë, ai vendosi të dorëhiqej nga presidenca dhe të largohej nga vendi, duke dhënë instruktime për një transferim të paqtë të pushtetit. Rusia nuk mori pjesë në këto negociata”, njoftoi ministria e Jashtme e Rusisë.

Rusia tha se bazat e saj ushtarake në Siri janë në gjendje të lartë gatishmërie, por deri më tani nuk ka asnjë  kërcënim serioz. Po ashtu, Moska thotë se është në kontakt me të gjitha grupet opozitare siriane.

Lëvizjet në Siri janë duke u shikuar me vëmendje në të gjithë botë.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden dhe ekipi i tij po monitorojnë me kujdes “ngjarjet e jashtëzakonshme në Siri” si dhe po qëndrojnë në kontakt me partnerët rajonalë.

Reagoi po ashtu edhe Presidenti i zgjedhur, Donald Trump.

“Assad iku. U largua nga vendi. Aleatja e tij, Rusia, e udhëhequr nga Vladimir Putin nuk ishte më e interesuar që ta mbronte më gjatë. Rusia dhe Irani janë më të dobësuara tashmë, pikë së pari prej Ukrainës dhe ekonomisë së keqe dhe së dyti sepse Izraeli po ia del me sukses në luftime”, tha Donald Trump.

Ndërkohë presidenti i Francës tha se “më në fund shteti barbar ra”. Ai theksoi se Franca do të vijojë angazhimin e saj për sigurinë në të gjithë Lindjen e Mesme.

Ndërkohë raportohet se luftëtarë të milicisë kanë hyrë në rezidencën e ambasadorit italian në Siri. Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani tha se ai nuk është lënduar dhe se rebelët morën vetëm tre makina dhe u larguan.

Pas lajmit se Presidenti Assad u largua nga detyra kanë qenë të shumtë sirianët që kanë dalë në rrugë për të festuar në vende të ndryshme të botës ku kanë emigruar për shkak të situatës.

Rebelët e komanduar nga ekstremistët sunitë të Hajat Tahrir al-Shamit rrëzuan për 2 javë të vetmin regjim që i rezistoi me dhunë dhe gjak “Pranverës arabe” pas 2011-ës, ndërsa rusët dhe iranianët nuk u aktivizuan shumë për të mbrojtur aleatin e tyre.

Pikëpyetje tashmë ngrihen se ç’drejtim do të marrë vendi dhe sa rrezikohet një tjetër përshkallëzim dhune në Lindjen e Mesme të trazuar./tvklan.al