Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Maratona e Popujve, e cilësuar si një eveniment historik për Shqipërinë, ka shënuar dhe maksimumin e profesionalitetit për transmetimin televiziv, pasi është transmetuar në kanalin italian RAI dhe Eurovizion, nëpërmjet valëve të TV Klan.

Televizioni Klan, i cili ka mbështetur fuqimisht realizimin e kësaj maratone të madhe, me një transmetim rekord të të gjithë aktivitetit, i cili është filmuar nga 16 kamera, në pikat kryesore të zhvillimit të garës, si dhe një kamera, e cila ka ndjekur të gjithë zhvillimin e maratonës nëpërmjet helikopterit. Kjo është hera e parë që një televizion shqiptar realizon një transmetim për një televizion të huaj dhe në këtë rast për një televizion prestigjioz italian siç është RAI.

Regjisorja e këtij aktiviteti për RAI, Anna Cristina Guistiniani, e ka cilësuar si mjaft të mirë bashkëpunimin me Televizionin Kombëtar Klan.

“Ishte një bashkëpunim mjaft i mirë me TV Klan, një bashkëpunim i cili në kompleks shkoi mjaft mirë. Do të doja të falënderoja në mënyrë të veçantë, regjisorin Bledi Laço dhe kryeinxhinierin Raqi Bicka, pasi ata ishin dy personat kyç në këtë transmetim, të cilët kanë dhënë një ndihmë vërtetë të pakrahasueshme. Ashtu pra siç e thashë, aktiviteti shkoi mjaft mirë, pasi duhen marrë parasysh edhe vështirësitë që paraqet një maratonë e të tilla përmasave. Mund të themi, që kemi realizuar gjithçka në maksimumin e mundshëm me këto mundësi që patëm. Materiali është transmetuar, në të ka gjithçka, duket gara, duket Tirana, festa pra gjithçka. E theksojë edhe njëherë, në kompleks gjithçka duket shumë mirë. Ju faleminderit për ndihmën tuaj”./tvklan.al

Gazetar – Rinaldo Bregasi