Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Maratona e Popujve, aktiviteti i madh sportiv dhe kulturor, i organizuar në kuadër të festimeve, me rastin e ditës së lumturimit të Nënë Terezës dhe i cilësuar si një nga evenimentet më të rëndësishme të organizuar më parë në Shqipëri, në këtë kuadër, ka përfunduar me sukses edicionin e parë të tij.

Gjithçka ka nisur me mbërritjen e presidentit të rajonit të Lazios, zotit Storace, i cili i ka dorëzuar zv/kryeministres Ermelinda Meksi, pishtarin e ndezur në Vatikan nga Papa Gjon Pali II enkas për këtë maratonë, e cila është realizuar në sajë të bashkëpunimit italo-shqiptar.

Maratona ka prekur disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit shqiptar, si bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bulevardin “Zhan D’Ark” dhe bulevardin “Gjergj Fishta”. Në të kanë marrë pjesë rreth 2600 atletë shqiptarë dhe të huaj. Maratona është ndarë në tre gara kryesore. Ajo prej 2 mijë metrash, gara e 7 km dhe gara e profesionistëve prej 21 km.

Gara prej 2 mijë metrash është fituar nga Orges Tresa për meshkuj dhe Esmeralda Sina për femra. Gara e 7 km është fituar nga Shpat Kadriu për meshkuj nga Kosova dhe Luiza Gega për femra nga Shqipëria. Gara e profesionistëve prej 21 km, ku morën pjesë rreth 300 vrapues nga e gjithë bota është fituar nga italiani Ritnan Marsali dhe për femra nga Myrvete Pervetica nga Kosova.

Në gara kanë qenë të pranishëm rreth 1500 fëmijë dhe 1500 të rinj nga Shqipëria, Italia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi etj. Kjo maratonë është organizuar nga Ministria e Kulturës Shqiptare, në bashkëpunim me rajonin e Lazios e Parmës, si dhe me mbështetjen e fuqishme të Televizionit Kombëtar Klan./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora