Turi i kryeministrit Edi Rama për skemën e re të pensioneve u ndal në qytetin e Korçës. Në këtë takim Rama tha se me ardhjen e PS-së në pushtet, e majta zhbëri skemën e tavanit të pagesës së pensioneve me 24 mijë lekë. Kryeministri, duke qenë i drejtpërdrejtë tha se rritja e pensioneve nuk është si pagat dhe se kërkon një kohë më të gjatë dhe bëri thirrje që të mos iu besojnë opozitës.

“Kur dalin disa sharlatanë që flasin për rritje të menjëhershme, do ta bëjmë pensionin minimal 400 euro, do ta bëjmë 1 mijë euro, këta janë maskat e Sudes. Ne Suden e kemi një hije që na ndjek nga pas dhe prandaj nuk kemi arritur dot të bëjmë drejtësi, prandaj nuk kemi arritur dot të bëjmë prokopi”.

Kreu i qeverisë ka deklaruar se ka ende sektorë ku ende deklarojnë paga informale. Ndërsa zbuloi skemën e rishikimit të bonusit vjetor të pensionistëve dhe vit pas viti rritjen e pensioneve.

“Brenda një kohe të shkurtër, çështje ditësh, ne do t’ju njoftojmë sesi do të ndryshojë bonusi i fundvitit dhe ndryshimi i bonusit të fundvitit është fillimi i këtij procesi, të rishikimit të të gjithë hapave që ndjekim në raport me pensionistët dhe pensionet. Dhe me një perspektivë që vit pas viti pensionet të rriten. Ky është qëllimi”.

Rama iu përgjigj dhe deklaratave nga opozita se pensionistët votojnë Partinë Socialiste, pasi janë komunistë.

“Edhe pensionistët e tjerë që nuk e mbështesin, në këtë pikë, duhet të jenë shumë të bindur që, pavarësisht se mund të kenë arsyet e tyre pse nuk mbështesin ne, duhet të jenë shumë të bindur që në mënyrë të pavetëdijshme ndoshta apo për paragjykime ndaj nesh, mbështesin Suden.”

Rama tha se një ndër masat e tjera për pensionistët është edhe studimi i uljes se çmimit të energjisë.

Tv Klan