“Për reformat, të garantojmë shumicë qeverisëse të qëndrueshme”

Kryeministri Edi Rama zgjodhi takimin e Lushnjës për fushatën e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste për të dhënë mesazhin se cikli i qeverisjes së të majtëve nuk mbyllet brenda këtij mandati.

“Cikli ynë i qeverisjes është një cikël i pambyllur, që do të thotë që të gjithë kantieret e reformave janë kantiere të pambyllura, që do të thotë që për të garantuar mbylljen e tyre me sukses, ne duhet të bëjmë ç’mos që të arrijmë objektivat strategjik të vizionit të Shqipërisë 2030”.

Ndonëse thekson se PS fiton në çdo qënder votimi në çdo cep të Shqipërisë, socialistëve iu dha një porosi të qartë për sigurimin objektivit që përkon me një mandat të katërt qeverisës.

“Na duhet të garantojmë një shumicë qeverisëse të qëndrueshme, të aftë për të marrë vendime në vazhdim dhe një mbështetje për vazhdimin e reformave”.

Ndërsa theksoi se procesi i anëtarësimeve të reja dhe i riorganizimit në parti lidhet me domosdoshmërinë që Partia Socialiste të hapet, të ripërtërihet dhe të shtrihet përtej kufijve të vjetër partiak në territor.

Në këtë takim, drejtuesi politik për Lushnjën, ministri i Brendshëm, Taulant Balla bëri thirrje që të rinjtë t’i bashkohen PS-së.

Tv Klan