Në të parin reagim pas deklaratës së SPAK se nuk kishte gjetur asnjë lidhje mes Olsi Ramës dhe laboratorit të kokainës në Xibrakë, Kryeministri Edi Rama thotë se kjo tregon se vëllai i tij u përdor për ta goditur atë.
“Pra, me fakte e me prova, jo me hamendësime e me fabrikime, është katërcipërisht e qartë, se im vëlla u përdor si mish për top, për të më goditur dhe rrëzuar mua në sytë e opinionit publik”, tha Rama.
Në një mesazh të posaçëm ai dhe familja e tij është përbaltur ndër vite me akuza dhe shpifje të rënda.
“Më kanë bërë përdhosës të familjes time, duke më akuzuar se në gjyqin e divorcit, unë kam akuzuar ish-gruan time se djalin tim e kishte me babain tim. Jo. Më kanë bërë homoseksual, biseksual, transeksual. Edhe mund të kisha qëlluar një nga të treja këto ose dhe të treja bashkë. Po jo! Më kanë bërë dhunues grash, madje dhunues të ndjesë pastë nënës time. Më kanë bërë përdorues droge. Jo, nuk jam përdorues droge ose më saktë, nuk kam përdorur ndonjëherë droga të paligjshme. Më kanë dalë e vazhdojnë të më teprojnë dy droga çudibërëse për mua: Arti, i pandashëm nga unë, qysh nga fëmijëria. Dhe lufta politike, e pandashme prej meje, qyshse e ndava mendjen t’ia kushtoja këtë pjesë të jetës sime, ndryshimit të Tiranës, e më pas të Shqipërisë” theksoi Kryeministri.
Të njëjtën gjë thotë edhe për pasurinë e tij, pas asnjë provë.
“Më kanë bërë me dyqind apartamente në Shqipëri dhe Europë, e me dyqind milionë dollarë dreqi e di ku. Jo. Më kanë bërë me saraje dhe ç’nuk kanë fantazuar, thënë e shkruar, për si është ndërtuar, e me çfarë lekësh është ndërtuar shtëpia jonë. Jo, ajo shtëpi nuk ka lidhje as me sarajet, as me favore ndërtuesish apo lekë me burim tjetër, përveç të ardhurave nga puna e të dyve ne, burrë e grua”, u shpreh Rama.
Thotë se akuzave të opozitës nuk është përgjigjur asnjëherë në të njëjtën mënyrë.
“Më keni dëgjuar të merrem ndonjëherë me fëmijët, me gruan a me ndonjë të afërm tjetër të atij katranit me bojë, të cilin ky Gazmendi që u bë sebep për këtë rrëfim të gjatë sot, e ka akuzuar publikisht, duke e quajtur për arsye botërisht të kuptueshme “babi i Zenit”(?) – ishte ajo koha kur katrani i madh kishte humbur Lulin dhe vulën, ndërsa katrani me lule kishte gjetur Gazin dhe bravën”,theksoi Rama.
Këmbëngul se familjarët e tij nuk janë përshirë në asnjë marrëdhënie me paratë publike.
“Im vëlla është në punën e tij, pa asnjë lidhje me punën time. Kurrë, asnjëherë, i përfshirë në ndonjë angazhim tjetër në kohën e qeverisjes sime, përveç drejtimit të klubit të futbollit “Partizani”.
Nuk ka kërkuar dhe marrë asnjë favor kurrë, për asgjë, nga qeveria ose shteti, as ime shoqe. Kurrë, asnjëherë, nuk ka marrë asnjë mbështetje të asnjë forme nga shteti, as vajza jonë po ashtu”, thekson Rama.
Gazmend Bardhin e sfidon që tani të përballet me drejtësinë për shpifjen e bërë.
“11 gjyqe i kam fituar vetëm unë deri tani me katranin e madh dhe katranët e vegjël të “babit”. 7 të tjera janë në radhë, përfshirë edhe gjyqi më i freskët me Gazmend Bardhin për këtë poshtërsinë e radhës, ku ky klloun i dalluar i cirkut politik të sharjeshpifjeve, do të duhet të provojë para gjykatësve se si ja kam fshehur unë drejtësisë tim vëlla dhe si kam promovuar pastaj në karrierë dy prokurorët që kanë bashkëpunuar me mua në këtë krim. Parimi është: Barrën e provës e ka kush akuzon, jo kush akuzohet”, tha ndër të tjera Kryeminisri.
Në fund mesazhin e pati për qytetarët të cilëve u kërkoi që ata që kanë shpifur t’i lënë jashtë parlamentit të ardhshëm.
“TikTokut do t’ia mbyllë derën e Shqipërisë për të paktën një vit qeveria, ndërsa këtij llumi duhet t’ia mbyllni dyert të gjithë ju, duke nisur nga dera e parlamentit të ardhshëm. Këta shpifarakë e lafarakë nuk janë alternativa politike të shekullit XXI”, shtoi Rama.
Tv Klan