Pas 8 vitesh mungesë Konferenca e Ambasadorëve është rikthyer me një mbledhje 3 ditore, ku përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë do të diskutojnë mbi angazhimet e vendit në arenën ndërkombëtare, por dhe sfidat që ka shërbimi jashtëm në një kohë që Shqipëria është në pritje të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ministri i Jashtëm veç vlerësimit për çka ka bërë diplomacia për të ndryshuar imazhin e vendit, flet për ndryshimet që do i bëhen ligjit të shërbimit të jashtëm që sipas tij do të afrojë burime njerëzore që e meritojnë të përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
“Ligji nuk do të jetë streha e të paaftëve e mediokërve, po do të mbështesë e stimulojë gjithkënd që e do këtë profesion dhe i është përkushtuar me mish e me shpirt”, tha ministri Igli Hasani.
Kryeministri Rama, mendon se janë 3 pikat që kanë ndihmuar në transformimin e shërbimit të jashtëm që ka dhënë ndikim të drejtpërdrejt në imazhin që ka aktualisht Shqipëria, çështje që janë të nevojshme sipas tij për ta ndihmuar vendin të shkojë dhe më përpara.
E para, krijimi i një vetëdije të re përfaqësimi në mbrojtje të interesit kombëtar, e dyta rritja e kujdesit për shqiptarët që jetojnë jashtë dhe e treta ku dhe u ndal më gjatë, forcimi i miqësive tradicionale, por mbi të gjitha partnerëve dhe aleatëve strategjikë në mënyrë të veçantë në rajon.
“Ne jemi miq tradicionalë të Turqisë dhe të Greqisë, sa për të sjellë një shembull dhe për ne këto janë dy miqësi shumë të rëndësishme“, tha Rama.
Kryeministri ju kërkon ambasadorëve të jenë të vetëdijshëm për përmasat e vendit që përfaqësojnë dhe t’i qëndrojnë larg si nacionalizmit folklorik nga i cili sipas tij në të shkuarën Shqipëria ka vuajtur kosto, por dhe nga kompleksi i inferioritetit.
“Ngjyra, që në mënyrë të vazhdueshme e kanë përcaktuar dhe e kanë dëmtuar pozicionin tonë ndërkombëtar dhe politikën tonë të jashtme”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi po ashtu të jenë të vetdijshëm se 2030 është objektivi që Shqipëria kërkon të arrijë për t’u ulur në tryezën e unionit europian si një anëtare me të drejta të plota.
Rama lajmëroi hapjen e dy ambasadave, e para në Bosnje që vjen si pjesë e politikës së qartë për të forcuar marrëdhëniet në rajon, e dyta në Kenia që do ndihmojë për të rritur numrin e njohjeve nga kontinenti afrikan për shtetin e Kosovës.
Ndërsa sa i takon intensifikimit të marrëdhënieve me Indonezinë dhe Filipinet synimi është thithja e krahut të punës nga këto shtete.
“Na duhet për shumë arsye, por edhe në mos për të tjera, për një arsye të thjeshtë fare që është dhe detyra që ne kemi dhe roli që ne kemi për të mbështetur formësimin përfundimtar të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, tha Rama.
Kryeministri foli për sukseset e diplomacisë shqiptare që kanë dhënë ndikimin dhe tek turizmi që ka njohur rritje edhe gjatë këtij viti, por në mënyrë të veçantë tek besimi që kanë partneret e mëdhenj që kanë përzgjedhur Tiranën për të mbajtur samite të nivelit të lartë siç ishte ai i Procesit Berlinit Tetorin e shkuar apo siç lajmëron se do të zhvillohen në harkun e tre viteve 2 samite të rëndësishme të liderëve europian dhe atyre të NATO-s.
Konferenca e Ambasadorëve gjatë 3 ditëve do të diskutojë në disa panele të ndryshme të moderuara nga gazetarë të njohur të politikës të gjitha sfidat e diplomacisë shqiptare. Paneli i parë ishte ai i moderuar nga gazetari Blendi Fezviu ku u fol për objektivin e anëtarësimit në 2030.
Tv Klan