Çështja e emigracionit të paligjshëm Edi Rama mendon që nuk duhet të trajtohet nga vendet anëtare të Bashkimit Europian bazuar mbi këndvështrimet e tyre politike apo duke u orientuar tek ndarjet kulturore. I ftuar të bashkëbisedojë në ditën e dytë të forumit GLOBSEC në Pragë në krah të homologes daneze dhe presidentit finlandez, kryeministri shqiptar e sjell si një model të bashkëpunimit mes vendeve europiane marrëveshjen që Shqipëria dhe Italia arritën për kampin e azilkërkuesve në Gjadër.
“Jemi të gjithë europianë dhe duhet të sillemi si europianë. Ky është një problem për të gjithë Europën. Ideologjizimi i kësaj çështjeje, përgjigjja e kësaj çështjeje si e djathtë ose e majtë, ngritja e kësaj çështjeje në fushata zgjedhore dhe ndarja e përçarja e shoqërisë për diçka që është racionale e ka çuar problemin e emigracionit në nivelin e luftës kulturore dhe ky është dëmi më i madh që i është bërë vlerave europiane“.
Rama pret nga anëtarët e unionit që kur flitet për çështje madhore si siguria apo lufta kundër krimit të organizuar e terrorizmit, edhe vendet kandidate mos të lihen jashtë tryezave ku diskutohen masat kundër tyre.
“Kur flasim për krimin e organizuar, për terrorizmin e gjithë këto gjëra, ata e kanë krijuar “Bashkimin e tyre Europian”, punojnë në nivel ndërkombëtar, janë shumë të shpejtë, kështu që për t’u përballur me ta, na duhet të kemi të njëjtën ritëm“.
Rama përsërit qendrimin e tij kritikues ndaj BE-së se u kujtua për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor vetëm kur Putin goditi Kievin, ai përsërit se ky rajon nuk duhet të merret si i mirëqenë.
“Ukraina po është zgjerim, por Ballkani Perëndimor është këtu, pra nuk është zgjerim, është praktikisht bashkim. Nuk ka kuptim që diçka këtu brenda të shkëputet nga organizmi sepse pastaj mund të bëhet burim infeksioni shumë i madh”.
E si në çdo pjesëmarrje në formate të tilla ndërkombëtare Edi Rama zgjedh që gjithmonë të lërë shenjë jo vetëm me veshjen zyrtare të kombinuar me atletet aq të komentuara, por dhe batutat që shkëmben me pjesëmarrësit.
“Zakonisht më vini në atë lokomotivën me avull me njerëz nga Ballkani në panele me 5,6 njerëz, ndërkohë që tashmë jam në një makinë elektrike me dy nordikë. E kuptoj që u ndjetë shumë vetëm dhe në akull dhe do të donit pak diell nga Shqipëria për të rritur pak temperaturën këtu.”
Ankesa më e madhe e Edi Ramës kur i duhet të ndajë panelin me të tjerë kolegë është koha në dispozicion, që asnjëherë nuk i mjafton.
“Më duhet të them të njëjtën gjë që them gjithmonë, nëqoftëse ftoni njerëz nga Ballkani duhet gjithmonë të zgjasni kohën, në qoftë se doni memo, sillni nordikët, vendosuni pesë minuta, ju japin memon dhe kthehen tek akulli. Ne kur ulemi duam të diskutojmë, të argëtohemi. Sillni çajin, jo jo, sillni kafen turke, e të shohim madje të ardhmen tek filxhani”.
“Sa herë që është kryeministri Rama në skenë, kalojmë një kohë mjaft të këndshme. Është një kombinim i përsosur i përmbajtjes së fortë dhe argëtimit. Ju falenderoj shumë.”
Tv Klan