Kreu i bashkisë Edi Rama i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha që të mos zbrazë arkat e pushteti vendor. Rama ka zgjedhur inspektimin e punimeve në parkun e madh të liqenit për t’i thënë kryeministrit që nuk do ta lejojë të prekë financat lokale për të mbushur buxhetin e shtetit.
Edi Rama: “Përfitoj nga rasti t’i bëj një paralajmërim kryeministrit, që sulmin e pandalshëm ndaj financave lokale, ta ndalë, sepse do të ndeshet me një rezistencë dhe me një refuzim që unë nuk do ta dëshiroja, si një pjesë tjetër të një jete shoqërore në Shqipëri që është në krizë të gjithanshme. Është e pa tolerueshme që ky njeri i papërgjegjshëm, ky njeri i paaftë, ky delirant i pandreqshëm, të zhbëjë atë që është ndërtuar gjithë këto vite, si autonomi vendore.”
Rama u shpreh gjithashtu në lidhje me ecurinë e projektit për rehabilitimin e Parkut të Madh të Liqenit, ku theksoi se ky projekt do ta transformojë rrënjësisht infrastrukturën e Parkut./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami