Nga takimi me shqiptarët e Italisë, kryeministri i vendit, Edi Rama ju është përgjigjur akuzave të opozitës se nën udhëheqjen e qeverisë së tij janë larguar nga vendi 1 milionë banorë, gjë të cilën e ka quajtur gënjeshtër të turpshme.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka thënë se Shqipëria me 1.5 milionë banorë ekziston në humnerën e gojëve që përndjekin tokën e Shqipërisë që ku shpalli pavarësinë. Rama ka shtuar se Shqipëria i ka pasur armiqtë më të egër në radhët e parisë së saj.

Edi Rama: Për shumë vite ishit ju që e mbajtët Shqipërinë në këmbë, sot është radha e Shqipërisë që të ju bëjë krenarë kur flisni për atdheun tuaj dhe për dinjitetin e saj të fituar përfundimisht evropian. Vitin e ardhshëm, Shqipëria do të mikëpresë në Tiranë të gjithë udhëheqësit dhe kush mund ta imagjonte deri para ca vitesh këtë Shqipëri në arenën e madhe evropiane që i ngjan të gjithëve ju? Shqipëria sot pret dhe ju, shqiptarët e Italisë dhe krejt botës si vendlindja juaj që po bëhet shteti që aq shumë i ka munguar shqiptarëve të Shqipërisë. Disa gojë nga ato që ju i njihni mirë thoshin këto ditë që unë nuk duhet të vija këtu sepse nën udhëheqjen time, paskan ikur nga Shqipëria 1 milionë shqiptarë, kjo e 1 milionë shqiptarëve të ikur 10 vjetët e fundit, është një gënjeshtër e madhe, e ligë dhe e turpshme, njësoj si ajo e autobusëve të ardhur nga Tirana, e cila doli po nga ato gojë të pista duke i ofenduar në nderin e lartë patriotik shqiptarët e Greqisë që u shkrinë si lumi në det në atë përqafim kuqezi të Athinës për të treguar dashurinë, për të shprehur mallin dhe për të manifestuar krenarinë e tyre.

Po, e vërtetë është, kanë ikur dhe në këto 10 vjet, shumë shqiptarë, shumë më tepër se janë kthyer, por Shqipëria e katandisur në 1.5 milionë banorë, Shqipëria e narko-shtetit, Shqipëria e mbytur në detin e korrupsionit, Shqipëria ku nuk ka as punë dhe as shpresë është një Shqipëri që ekziston vetëm në humnerën e atyre gojëve të cilat e përndjekin tokën e fëmijëve të Shqipërisë që kur shpalli pavarësinë në 1912 dhe që prej asaj dite, më të ligjtë e armiqve të vet, Shqipëria i pati gjithmonë nga radhët e parisë së vet. Shqipëria ka një luftë të madhe për të bërë akoma me korrupsionin dhe me krime dhe me të tjera plagë të trashëguara ndër shekuj, ndarje të dhunshme prej Evropës është askush që nuk e di historinë tuaj dhe tonën po të shikonte atë film nuk do ta besonte kurrë që ata njerëz atje jeni ju dhe si ata njerëz atje, ashtu ishte Shqipëria dje që sot ju ngjan juve. Ama me të gjitha problemet e veta, Shqipëria ku drejtësia mbahej lidhur si qen gjahu me litarin e agallarëve të saj të paprekshëm, Shqipëria ku vriteshin çdo vit mbi 100 vetë dhe ku policiët i shtynin makinat, Shqipëria ku turizmi mbahej nga patriotizmi, Shqipëria ku ju duhet të merrnit rrugën mbrapsht për të shkuar për të marrë një dokument dhe nuk dilnit nga sheshi i trageteve pa paguar policinë e radhës ka vdekur, ashtu si ka vdekur njëherë e përgjithmonë çdo shans që hijet e së shkuarës të rikthehen mbi kalë për ta shaluar në drejtim të paditur fatin evropian të Shqipërisë.


/tvklan.al