Nisma më e fundit e kryesocialistit Rama për të bashkëbiseduar me gazetarët e të gjithë Shqipërisë ka zbritur në qytetin e Durrësit.

Për rreth 2 orë, Rama i shoqëruar nga deputetë të qarkut të Durrësit ka folur për hetimin e zgjedhjeve dhe ka ripërsëritur kushtin e panegociueshëm të Partisë Socialiste për hapjen e kutive të 28 Qershorit.

Rama ka folur gjatë për tryezën që presidenti i Republikës pritet të mbledhë në ditët në vijim, duke deklaruar se prej saj pret dhe zgjidhje të krizës që, sipas tij, ka përfshirë politikën.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Rama është shprehur se nuk ka dijeni për qëndrimin e deklaruar të kreut të Republikës, për të cilin vendimin e gjykatave nuk mund të shkelë, duke u shprehur kështu qartë se hapja e kutive është e pamundur.

Edi Rama: “Unë nuk e kam dëgjuar presidentin të shprehet se hapja e kutive është e paligjshme, por nga ana tjetër edhe në rast se kjo është e vërtetë pak rëndësi ka për ne sepse presidenti i Republikës është kushtetutshmërish simboli i unitetit kombëtar dhe institucioni që e garanton një tryezë mes palëve si një institucion mbi palët.”

Në fakt, presidenti i Republikës qëndrimin e tij e ka bërë të njohur në Nëntor të vitit të shkuar në TV Klan, në emisionin Opinion të Blendi Fevziut.

Bamir Topi: “Në mënyrën më absolute presidenti nuk duhet të futet tek vendimi i gjykatave është kryetari i këshillit të lartë të drejtësisë, ju e keni parë me vepra konkrete kur janë rrëzuar vendimet e këshillit të lartë të drejtësisë nga gjykata e lartë unë kam përshëndetur.”

Blendi Fevziu: “Nuk keni ndërhyrë?”

Bamir Topi: “Në mënyrën më absolute nuk kam ndërhyrë duke i dhënë të drejtën që i takon gjykatës së lartë. Pra është parimi i pavarësisë të çdo shkalle gjyqësore.”

Edi Rama: “Mi bëni të fala Sandrit.”

Kreu socialist akuzoi gjykatat dhe prokurorinë si të dështuara në misionin e tyre, duke veçuar Gjykatën Kushtetuese që, siç tha Rama, i ka shpëtuar rënies nga sistemi.

Edi Rama: “ Vetëm pushteti gjyqësor për të mos folur për të tjerat, ka dhënë shenja të qarta të një rënieje pindarike pas 28 qershorit, kur duket se Shqipëria nuk ka më prokurori dhe ndërkohë se në gjykatat shqiptare nuk ka më shans për të gjetur asnjë të drejtë. Përjashtuar gjykatën kushtetuese e cila i ka rezistuar furtunës së antikushtetushmërisë dhe të antiligjshmërisë që e karakterizon pushtetin e Sali Berishës”./tvklan.al

Gazetare: Enkelejda Arapi