Kryesocialisti Edi Rama ishte në Lezhë në një takim me arsimtarë në kuadër të turit “Rruga e ideve për të ardhmen”. Fjalimin e tij kryetari i selisë rozë e fokusoi në gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet vendi sot, kryesisht veriu i Shqipërisë.
Sipas Ramës, sot regjistrohen shifra të konsiderueshme fëmijësh analfabetë dhe në varfëri të plotë.
Edi Rama: “Varfëria si një dorë tanimë e dukshme, që i mban për krahu fëmijët dhe nuk i lë të shkojnë në shkollë, sepse nuk arrijnë dot prindërit e tyre t’u garantojnë librat e fletoret dhe askush nuk ka bërë asnjëherë asgjë për këta fëmijë dhe për këto familje, përveç fjalimeve, premtimeve dhe gënjeshtrave.”
Rama ofroi një model që aplikohet nga vendi fqinj Maqedonia si rrugëdalje nga kjo problematikë.
Edi Rama: “Në Maqedoninë fqinje u shpërndanë falas fëmijëve të familjeve vërtetë në nevojë. Jo vetëm librat e fletoret, por edhe çantat dhe mjetet e tjera didaktike. Ky është një shembull se asgjë nuk është e pa mundur. Në rast se jemi të gjithë të vendosur për të mos lejuar që analfabetizmi dhe varfëria të behën një mur i pa kapërcyeshëm mes fëmijëve tanë dhe të ardhmes.”
Rama garantoi se në programin e ri qeverisës të PS, arsimi do të renditet si një ndër prioritetet kryesore./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi