Kryebashkiaku Edi Rama, ishte në njësinë bashkiake nr 10 në kuadër të takimeve me qytetarët në funksion të hartimit të buxhetit për vitin 2009. Vetëm për këtë njësi në vitin 2007 është ndërhyrë në 15 blloqe banimi, duke i shtuar gjatë këtij viti dhe 9 ndërhyrje të reja. Ndër projektet e përfunduara, është ura e re mbi Lumin Lanë, rrugën “Dëshmoret e Kombit”, rikonstruksioni i një segmenti të unazës së vogël. Falë dëgjesave publike të vitit 2008, katër rrugë të identifikuara si prioritare nga qytetar janë përfshirë në proces të plotë mirëmbajtjeje. Rruga Mujo Ulqinaku, Hajdar Hidro, Shyqyri Bexholli dhe Islam Alla.
Edi Rama: “Ne sot kemi një model zhvillimi, një qytet i cili është pikë referimi për të gjithë Shqipërinë, është pikë referimi për të gjithë qytetarët që në zonat ende të pa trajtuara presin që të kenë po ato kushte dhe po atë cilësi që garantohet në zonat që janë trajtuara apo që po trajtohen. Do të vazhdojmë me intensitet të gjitha pastrimet dhe prishjet e domosdoshme brenda blloqeve të banimit, kur është fjala për gardhe, garazhe, ndërtime të tjera abuzive që cenojnë hapësirën publike”.
Në njësinë bashkiake nr 10, parashikohet ndërhyrje e plotë në bllokun e banimit nr 17 në rikualifikimin e rrjetit rrugor, sistemin e furnizimit me ujë të zonës, ndriçimin rrugor si dhe gjelbërimin./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi