Nga 1 Korriku, punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritjen e dytë të pagave, pas asaj të vitit të shkuar.
Edi Rama: Në Qershor hyn në fuqi rritja e re e pagave dhe kështu të gjithë do të kenë një rritje në pagën e tyre dhe do të arrijmë objektivin që kemi shpallur që paga mesatare në sektorin publik shqiptar të jetë 900 Euro.
Pavarësisht rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare financiare për të mos rritur pensionet, kryeministri siguron se qeveria po e mendon seriozisht hedhjen e një hapi të tillë.
Edi Rama: Duke filluar nga pensionet më të ulëta, të gjithë na e thonë, edhe ekspertët ndërkombëtarë, edhe FMN-ja, edhe BB-ja, të gjitha na e thonë që tek pensionet bëni kujdes sepse është realisht një peshë shumë e rëndë.
Kryeministri thotë me bindje se administrata publike është aset kombëtar dhe certifikimin e saj e ka bërë Komisioni Europian pas përfundimit të Procesit Screenig.
Edi Rama: Fakti që ne, Shqipëria përballet me një proces aq të komplikuar, aq sfidues, aq profesional si ai i skrinimit të të gjithë organizimit të shtetit shqiptar nga BE-ja me aq sukses, është një arsye shumë e fortë për t’u ndjerë shumë të motivuar.
Rastet e shumta të punonjësve të administratës të arrestuar dhe dënuar për korrupsion sipas Ramës nuk provojnë se është administratë e kalbur, por e kundërta që tani drejtësia po funksionon.
Edi Rama: Fakti që sot, publiku ballafaqohet me më shumë raste që i sheh, nuk tregon që korrupsioni është rritur, tregon që korrupsioni po luftohet seriozisht.
Rama u bë pjesë e prezantimit të amendimeve që do t’i bëhen ligjit të shërbimit civil, ku ndër të tjera është parashikuar që oraret e punonjësve të jenë fleksibël në varësi të angazhimeve të tyre familjare.
Një tjetër ndryshim, i cili vjen si propozim nga vetë punonjësit në bazën e një anketimi të bërë për të gjithë administratën publike ka të bëjë me lejen vjetore e cila mund të planifikohet dhe të merret sipas dëshirës edhe në periudha me pak se nje javore.
Anketimi i fshehtë është përdorur dhe për përzgjedhjen e atyre që konsiderohen si aset i çdo dikasteri ministror, për të cilët u shpërndanë dhe certifikata mirënjohje, një mekanizëm motivimi, ky për çdo punonjës të shërbimit civil.
Tv Klan