Arta Tozaj: “Për herë të parë në një debat publik në Bruksel kryetari i partisë më të madhe opozitare ka mbrojtur interesat e qeverisë, duke theksuar madje se në shtator më së largu Shqipëria duhet të ketë përshpejtuar të gjitha reformat për të kërkuar statusin kandidat pranë BE.”

Edi Rama: “Ne do ta kërkojmë nga qeveria shqiptare, që të përgatisë të gjithë procesin e nevojshëm për të aplikuar për statusin e vendit kandidat në fillim të vjeshtës së ardhshme, pasi bindja jonë është se sot Shqipëria i ka të gjitha kartat në rregull për ta hedhur këtë hap.”

Edi Rama theksoi se problemet e brendshme janë të ndara nga integrimi i vendit duke komentuar para kamerave qeverisjen nga demokratët.

Edi Rama: “Qeverisja e vendit është si mos me keq, por nga ana tjetër e theksova, që vendi ka nevojë te hedhë  këtë hap, sepse kjo do të ndikojë shumë seriozisht. Siç e tregon edhe eksperienca e vendeve tjera që kanë kaluar nga ky proces, në rritjen e ritmit të atyre reformave pa të cilat ne nuk kapërcejmë dot këto situata shumë të ndërlikuara në të gjithë sektorët jetikë e për më tepër pa të cilat nuk arrijmë dot objektivin e integrimit tonë në europian.”

Por përfaqësuesi i qeverisë nuk ndau të njëjtën datë me kryesocialistin Rama për çështjen e statusit kandidat.

Glori Husi: “Komisioni Evropian, partnerët tanë i japi një rëndësi të jashtë zakonshme asaj që quhet track-rekord. Domethënë, Shqipëria duhet të dëshmojë një ecuri të qartë në reforma, duhet ë dëshmojë që këto reforma dhe rezultati i tyre janë të sigurta. Kështu që në kohën e duhur Qeveria Shqiptare do ta bëjë  edhe kërkesën për statusin e kandidatit. Qeveria Shqiptare është e interesuar më shumë se kushdo tjetër.”

Edi Rama nga ana tjetër nuk komentoi çështjet e bashkëpunimit brenda kampit të majtë. Ndërkohë që në debatin e organizuar në Qendrën e Politikave Europiane me temë “Shqipëria në portat e NATO-s dhe BE”, ishte i pranishëm dhe shefi i njësisë për politikat koordinuese në drejtorinë për zgjerimin të KE.

Axel Wallden njohu ndryshimin e imazhit të Shqipërisë pas prezantimit të bërë nga Rama, Husi dhe Veliaj, por theksoi se për të kaluar në një fazë tjetër të integrimit Shqipëria duhet të punojë me reformat institucionale, kapacitetet administrative si dhe të shënojë rezultate në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj