Kryesocialisti Edi Rama e ka quajtur progres-raportin e Komisionit Evropian si skanerin më të mirë të krizës që ka përfshirë vendin.
Edi Rama: “Me një fjalë të vetme do ta quaja këtë raport një pasqyrë realiste të krizës së rëndë të demokracisë në Shqipërinë e sotme”.
Edhe pse Komisioni Evropian në progres-raportin e 2009, i njohu zgjedhjet e 28 Qershorit, ndërsa ambasadori Lohan kërkoi rikthimin e opozitës në parlament për të vazhduar në rrugën e reformave integruese për vendin.
Edi Rama thotë se ndërkombëtaret janë në një mendje me të për standardet e munguara të këtyre zgjedhjeve.
Edi Rama: “Ne ndajmë të njëjtin vlerësim me Komisionin Evropian se në thelbin e tyre zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit 2009, nuk përmbushën standardet normale të një vendi anëtar të NATO-s dhe aspirant për anëtarësim në BE. Gjejmë këtu rastin të ritheksojmë me vendosmëri se vetëm hetimi parlamentar, i pavarur nga qeveria, i këtyre zgjedhjeve pa standarde, mund të zhbllokojë dialogun politik dhe t’i hapë rrugë adresimit të sfidave të rëndësishme që ka vendi përmes reformash të cilat, sot për sot, nuk kanë asnjë shans të kryhen, pikërisht, sepse parlamenti i sotëm nuk ka asnjë legjitimitet për t’i ndërmarrë”.
Rama tha dhe njëherë se hapja e kutive është kusht për zhbllokimin e dialogut politik./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka