Pas më shumë se 8 vjetësh në krye të bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka dhënë dorëheqjen nga ky post. Në këtë mënyrë ai i jep fund dilemës nëse do të kandidojë ose jo si deputet në zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Burime të sigurta brenda selisë rozë konfirmojnë për Tv Klan, se pas një mbledhje urgjente të kryesisë të PS-së, kreu i saj ka pranuar të heq dorë nga mandati i kryebashkiakut për t’u fokusuar në drejtimin e fushatës elektorale që synon dhe fitoren e PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit.

Ky vendim i kreut të selisë rozë për të qenë në krye të listës së deputetëve socialistë është pritur në mënyra të ndryshme nga qytetarët.

Qytetari 1: “Ta kishte bërë dorëheqjen më përpara do ishte gjëja më e mirë se dy kunguj nën një sqetull kur thotë populli nuk mbahen dhe Edi Rama e ka mbushur kupën.”

Qytetari 2: “Në qoftë se e ka dhënë për 1 prillin jam dakord, mirë ka bërë.”

Qytetarja 1: “Është një gjë e mirë, mua me pëlqen.”

Qytetari 3: “Ai nuk e bën dot këtë, pse nuk e bën, sepse nuk ka besim se fiton.”

Por edhe pse ka lënë postin e kryetarit të bashkisë Edi Rama do ti drejtohet sërish elektoratit kryeqytetas. Kësaj here për të marrë votat si deputet i PS, duke sfiduar në këtë mënyrë hapur kundërshtarin e tij brenda së majtës kreun e LSI-së, Ilir Meta e cili po ashtu do të kandidojë në Tiranë.

Jolldiz Mitro: “Për të gjithë ata të cilët besuan në këtë histori po ju rrëfejmë se gjithçka ishte një gënjeshtër, luksin e së cilës ne të Klanit ia lejuam vetes me 1 prill.”

Sali Berisha: “Vështirësitë e tij për të qenë i besueshëm në ditë të zakonshme janë të mëdha pa lëre më në ditën e tij. Por në qoftë se kjo është e vërtetë e siguroj se do t’ia pranoj menjëherë dorëheqjen dhe do ta bëjmë Tiranën me një kryetar të ri bashkie që meriton.”/tvklan.al