Kryeministri Edi Rama e quan të jashtëzakonshëm pastrimin që Reforma në Drejtësi bëri në sistemin tonë gjyqësor.
Në një fjalë pas nënshkrimit në Madrid të marrëveshjes për organizimin për herë të parë të Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027 në vendin tonë, Rama thotë se drejtësia tani nuk është në duart e politikës dhe se po prek edhe në radhët e mazhorancës.
“Kemi kaluar nëpër një reformë të jashtëzakonshme drejtësie, një pastrimi të jashtëzakonshëm të sistemit tonë të drejtësisë nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Procesi i rivlerësimit ka marrë shumë vëmendje e mjaft respekt në Europë dhe ka qenë thelbësor për ne që të ecim përpara dhe për herë të parë që kur kemi një shtet dhe jemi një shtet i ri, u pavarësuam nga Perandoria Osmane vetëm në 1912, kemi tashmë një gjyqësor që nuk është më në duart e politikës dhe na duhet të jemi dëshmitarë të kësaj gjëje duke parë edhe njerëz nga partia jonë, nga shumica jonë, të japin llogari para drejtësisë”, tha Rama.
Ndryshe nga disa vende, Rama tregon se Shqipëria nuk ka plan tjetër përveç anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Sigurisht, ka shumë tundime sot, sidomos në pjesën perëndimore të Europës për të menduar për largimin nga Bashkimi Evropian, për mbylljen e kufijve, për kthimin në kufijtë e vjetër doganorë ku vendet ishin gjithsecili më vete, e kështu me radhë dhe shpesh herë më duhet t’i përgjigjem pyetjes se ç’plan B ka Shqipëria? Duke qenë Bashkimi Evropian plani ynë A dhe unë përgjigjem bindshëm, shumë bindshëm se nuk ka plan B për ne”, tha Rama.
Ftoi spanjollët të vizitojnë dhe investojnë në Shqipëri duke njoftuar se vetëm së fundmi janë nënshkruar 20 kontrata në këtë sektor.
“Vitin e kaluar arritëm afro 12 milionë kështu që në një farë mënyre, po i afrohemi Champions League së turizmit, jo në nivelin e Real Madridit siç është Spanja, por jemi Girona e re e Europës kur vjen fjala për turizmin dhe ma ha mendja që nuk është keq”, u shpreh kryeministri.
Kongresi Botëror i Ligjit pritet të sjellë në Tiranë rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës dhe sipas Ramës ka pasur garë të fortë mes disa kandidaturave. Në kthim nga Spanja Rama u është përgjigjur edhe skeptikëve të reformës në drejtësi ndërsa ka shigjetuar edhe opozitën.
Tv Klan