Qeveria shqiptare nënshkroi në Spanjë marrëveshjen për organizimin e Kongresit Botëror të Ligjit 2027, i cili do të mbahet në Tiranë.
Para një audience, ku i pranishëm ishte edhe ish-Kryeministri spanjoll Felipe Gonzalez, Kryeministri Edi Rama tha se vendi ka kaluar nëpër një reformë pastrimi të sistemit të drejtësisë nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar.
“Kemi kaluar nëpër një reformë të jashtëzakonshme drejtësie, një pastrimi të jashtëzakonshëm të sistemit tonë të drejtësisë nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Procesi i rivlerësimit ka marrë shumë vëmendje e mjaft respekt në Europë dhe ka qenë thelbësor për ne që të ecim përpara dhe për herë të parë që kur kemi një shtet dhe u pavarësuam nga Perandoria Osmane vetëm në 1912, kemi tashmë një gjyqësor që nuk është më në duart e politikës”, tha Rama.
Rama theksoi se edhe njerëz nga ana e mazhorancës po japin llogari para drejtësisë.
“Na duhet të jemi dëshmitarë të kësaj duke parë njerëz nga shumica jonë të japin llogari para drejtësisë. E dinim këtë dhe nuk pendohemi, në të kundërt do të nxisim sa më shumë të jetë e mundur që më së fundi, shteti i së drejtës të jetë emëruesi i përbashkët i shoqërisë”, tha Rama.
Sipas Ramës, Shqipëria sot është larg vendit që është persekutuar kaq shumë kohë nga stigma e të qenurit një vend i zymtë.
“Në fakt, dielli shndërrin në Shqipëri, kurrë nuk është zymtë se është një vend ‘’kriminelësh, rrëmbyesish, hajdutësh”, nuk është se nuk i kemi të gjitha këto, por janë po aq shumë dhe po aq pak sa në çdo vend tjetër e po kështu është një vend, pasaporta e të cilit gjithmonë ngjante me një dokument shumë të dyshimtë, por kjo ka ndryshuar”, tha Edi Rama.
Rama përmendi edhe arritjet në turizëm.
“Vitin e kaluar arritëm afro 12 milionë kështu që në një farë mënyre, po i afrohemi Champions League së turizmit, jo në nivelin e Real Madridit siç është Spanja por jemi Girona e re e Europës kur vjen fjala për turizmin dhe ma ha mendja që nuk është keq”, tha Rama.
Kryeministri tha se Shqipëria nuk ka një plan “B” përkundrejt Bashkimit Europian, pasi duhet një vend ku të gjithëve u jepet mundësia të fitojnë dhe ku askush nuk mund të fitojë në kurriz të dikujt tjetër.
Klan News