“Sot Sali non grata postonte vizitën e tij në Gjermani dhe krenohesh dhe krekosesh se na kishte taku Doris Pack, 85 vjeçe dhe disa pleq të parlamentit gjerman. Ti Edi Rama sot po na krenohesh dhe krekosesh se paske taku mbretin e Spanjës që edhe sot ky mbreti i Spanjës akoma nuk e njeh shtetin e Kosovës”.

Një komenti të tillë kryeministri Edi Rama nuk mund të mungonte që t’i kthente një përgjigje. E për këtë ka një seksion të veçantë në Facebook ku ka arritur në Episodin e 19 të përgjigjeve “Sy m’Sy”.  

“Për të gjetur bishta jemi të vetmit ne, por interesantja këtu është se për herë të parë Mbreti i Spanjës pret në audiencë kryeministrin e Shqipërisë, jo se e kishte për detyrë, a për qokë, apo se mua më ra rruga për te shtëpia e tij, por se Shqipëria u zgjodh të mikpresë Kongresin botëror të Ligjit”, sqaroi Rama sa i përket vizitës së tij në Madrid.

Sipas tij ka pasur kandidatura të forta dhe më me shumë emër se Shqipëria në botën demokratike për ta mikpritur kongresin. Por Bordi i Shoqatës Botërore të Juristëve që organizon edhe këtë Kongres sipas kryeministrit vlerësoi gjithçka që Shqipëria ka bërë me Reformën në Drejtësi.

Duke u ndalur te reforma ai tha se do kohën e vetë që të funksionojë siç duhet. Sipas tij, ajo që ka ndodhur pas Reformës në Drejtësi, nuk ka ndodhur në mbi 100 vite shtet të Shqipërisë. Ai theksoi se kthesën historike për shtetin e udhëhoqi Partia Socialiste dhe ai vetë. Prandaj në zgjedhjet e 11 Majit kërkon që selisë rozë t’i jepet haku që i takon.

Po ashtu bën thirrje për kujdes, pasi opozita e vjetër dhe ajo e re, duke iu referuar partive të reja, janë të gjitha kundër reformës në drejtësi sipas tij.

“E kush e udhëhoqi? E kush e garanton këtë kthesë historike për shtetin e shqiptarëve? Natyrisht shumica e sotme dhe ajo e nesërmja patjetër, në qeveri, unë dhe PS. Prandaj e votoni apo jo forcën tonë reformiste, e doni apo jo, jepuni hakun. Dhe kujdes se të tjerët drejtësisë së re duan vetëm t’i hedhin lakun, qoftë ata të oxhakut me blozë, qoftë këta të mangalleve të vogla, të vjetër e të rinj, që janë të njëjtët në një barrikadë, përfshirë edhe kundër reformës në drejtësi, pavarësisht se çfarë thonë”, tha Rama./tvklan.al