Në konferencën dedikuar 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, e quajtur “Rugova dhe Perëndimi” mori pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.
Në një fjalim mes duartrokitjeve të shumta, kreu i qeverisë shqiptare foli gjatë për figurën e Ibrahim Rugovës, e specifikisht për rolin e tij për t’i dhënë Kosovës, atë që Edi Rama e konsideroi të vetmen pasuri, miqtë ndërkombëtarë.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Falë vetëm personalitetit të tij, pritej në Shtëpinë e Bardhë, pritej në Quirinale në Romë duke e zgjeruar si një përrua shtratin e vet, vëmendjen ndërkombëtare ndaj çështjes së Kosovës. Pa miqtë e mëdhenj që Ibrahim Rugova ia bëri Kosovës, pushkët e UÇK-së nuk do të jehonin dot mbi Beograd përmes bombave të NATO-s.
Trashëgimia politike e Ibrahim Rugovës, jep mesazhe të forta për liderët aktualë të Kosovës, që sipas Edi Ramës kanë ngritur veç kulla ngujimi.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Nuk vlen asnjë lekë bindja e tyre që na ndjekin me fanatizëm nëse nuk arrijmë të bindim edhe kundërshtarët. Udhëheqja e vërtetë në kërkim të paqes së plotë matet jo nga aftësia për të ngritur gur pas guri kulla ngujimesh kinse parimore, por nga mjeshtëria për të ndërtuar metër pas metri urat e bashkëpunimit.
Duke iu referuar qasjes së Albin Kurtit ndaj ndërkombëtarëve, Edi Rama tha se as Kosova dhe as Shqipëria, nuk mund t’i shpëtojnë realitetit.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Sado të mëdhenj dhe sa do të mbështetur të jemi nga njerëzit tanë, mbetemi një popull i vogël në dy shtete të vegjël, që siç thoni ju në Kosovë nuk kemi qare pa miqtë dhe aleatët e mëdhenj.
Sipas Edi Ramës, Kosova është në një kurth me Serbinë. Për këtë arsye, nuk i kurseu një këshillë homologut të tij, Albin Kurti.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Ne jemi në një proces ku thellohet qasja ndaj politikës së jashtme si politikë e brendshme. Patjetër që mund të ketë sukses elektoral, por kjo e lë Kosovën me gjithmonë e më pak besim nga ana e miqve dhe aleatëve të vet ndërkombëtar. Macja me miun në tavolinë, këto mbledhjet për t’u mbyllur brenda me orë, vetëm për dalë pas mbledhjes për të thënë se sa fort i qëndrova unë tjetrit në mënyrë të njëanshme kuptohet, këto nuk të çojnë asgjëkund.
Kryeministri Edi Rama, më herët u prit nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa ishte i shoqëruar edhe nga ish Kryeministri Italian, Massimo D’Alema dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj. Në axhendë, nuk është parashikuar një takim me Albin Kurtin.
Klan News