Kryeministri Edi Rama ka shkuar sot në ambientet e bashkisë së Tiranës. Burime për Klan News bëjnë me dije se kreu i qeverisë ka qëndruar atje rreth 30 minuta dhe më pas është larguar. Mësohet se ai ka takuar nënkryetarët e bashkisë ku me shumë gjasë është diskutuar sa i takon “karriges bosh” tashmë të këtij institucioni vendor. Kujt do t’i delegohen kompetencat? Kjo mbetet për t’u parë në vijim.  


Kjo “vizitë” e Ramës në bashkinë e kryeqytetit vjen pas arrestimit të drejtuesit të saj, Erion Veliaj. Ai u shoqërua ditën e djeshme nga agjentët e BKH-së, në zbatim të masës “arrest me burg” të lëshuar nga GJKKO. Kryebashkiaku akuzohet për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndërkohë, është caktuar masa e sigurimit “arrest në shtëpi” edhe për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Kujtojmë se Rama reagoi mëngjesin e kësaj të Marte për arrestimin, duke theksuar se pavarësisht se respekton institucionet e drejtësisë, “Tirana me 1001 punë u la pa kryetar”. Sipas tij, nuk është kryer një proces i mirëfilltë gjyqësor dhe se duhet pritur që të vërtetohen akuzat ndaj Veliajt.

Po çfarë përcakton ligji?

Sipas ligjit për Qeverisjen Vendore, neni 62, kryetari i një bashkie mund të shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave vetëm në 3 raste: Kur kryen shkelje të rëndë të Kushtetutës ose ligjeve, dënohet për kryerjen e një vepre penale me vendim të formës së prerë nga gjykata apo propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3 mujore.

Nisur nga rasti konkret, ka dy shanse (gjithnjë bazuar në ligj): Veliaj i delegon kompetencat e drejtimit të bashkisë njërit prej nënkryetarëve ose mblidhet Këshilli Bashkiak dhe merr vendimin për delegimin e këtij posti.


/tvklan.al