Pa u mbushur 24 orë nga marrja e detyrave të reja të miratuara nga Asambleja Kombëtare të dielën, 10 anëtarët e rinj të Kryesisë, 15 drejtuesit politik të qarqeve dhe sekretarët e Partisë Socialiste janë thirrur nga Edi Rama në një mbledhje konstituimi në selinë rozë.

Takimi ka shërbyer dhe për qartësimin e detyrave të çdonjërit prej anëtarëve të këtij forumi dhe angazhimit që duhet të kenë për të arritur objektivin e marrjes së mandatit të 4.

Por më shumë interes kishte dhe për vetë anëtarët e Kryesisë se si do të ndahej puna mes 3 të përzgjedhurve të Ramës për të drejtuar qarkun e Tiranës.

Erjon Veliaj do të ketë përgjegjësinë e drejtimit të fushatës për të gjithë territorin e Bashkisë Tiranë, Manastriliu do të menaxhojë strukturat e partisë në këtë territor, ndërsa kryeparlamentares i janë lënë 4 bashkitë e tjera që përbëjnë qarkun; Kavaja, Rrogozhina, Kamza dhe Vora.

Por të gjithë së bashku të 15 drejtuesit politikë do të jenë të angazhuar për objektivin e ri që Rama shpalosi gjatë një takimi që i parapriu Kryesisë për platformën “Deputeti që Duam”.

“Ambicia jonë është që PS e 2030-ës të jetë partia e 1 milion shqiptarëve aktivë, një rritje fuqisë tonë në zgjedhjet e ardhshme. Nëse dëshironi që të afroheni më pranë dhe nëse doni të dilni në vijën e parë, të dytën apo të tretën të udhëheqjes së këtij vendi, ne jemi gati të ju presim krahëhapur dhe të ju afrojmë drejt destinacionit”.

Vetë platformën që u ngrit pas Kongresit e cilëson të rëndësishme për thithjen e emrave që do të përbëjnë listën me 187 kandidatë për deputetë, ndaj kërkon nga të rinjtë, shqiptarët e diaspores dhe profesionistët e fushave të ndryshme të aplikojnë për t’u përzgjedhur.

Modeli që ju kërkon të rinjve të mos ndjekin kur përfshihen në politikë, është ai i kundërshtarëve demokratë.

Përsëriti premtimin për rritjen e pensioneve, por përpara se ta përmbushë lajmëron se këtë vit bonusi i fundvitit do të jetë më i lartë se 5 mijë Lekëshi tradicional.

Tv Klan