Deputetët që kanë më shumë se një mandat nuk do të jenë në vende të sigurta në listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 2025.
Nga mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste, Edi Rama e tha prerazi se në listën e mbyllur do jenë vetëm të rinjtë, duke përjashtuar edhe veten e tij.
Ekipin me të cilin synon të marrë mandatin e katërt qeverisës tha se do e ketë gati brenda 6 muajve, por të vetët i paralajmëroi se do duhet të punojnë si ditën e parë të përfshirjes në politikë.
“Deputetëve tanë u them se cilido që dëshiron një mandat tjetër, e ka në dorë ta marrë duke punuar më shumë se ne tre vitet e marra së bashku”.
E teksa e diela shënoi për socialistët ndezjen e motorrëve për betejën elektorale të radhës, kundërshtarët Rama i etiketoi humbës përsëritës, duke ironizuar ekipin e Sali Berishës.
“Fund e krye humbësa kronikë, njëri më i rraskapitur se tjetri, të njëjtët që nxorrën sa e sa herë|Lulin e shkretë e tani do e vulosin fitoren në kat të 8 e pastaj thone nuk fitohet ndaj diktaturës së Ramës”.
Kundërshtarit i foli me shifra teksa i kujtoi se e pret i njëti rezultat si ai në vititn 1997, zgjehdhdje në të cilën demokratët morën vetëm 25 mandate deputetësh.
“Në zgjedhjet e ardhshme, PD-ja zor se do marrë më shumë mandate se në vitin 1997. Mbajeni shënim. I vetmi ndryshim është se atëherë e tërë Shqipëria ishte në humnerën ku ra ajo parti. Këtë herë humnera është destinacion ekskluziv i vetëm asaj partie. Një destinacion i zgjedhur me vullnet të lirë prej udhëheqësve udhëprerës të saj”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Në fjalën e gjatë përpara Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama nuk foli vetëm për çështje organizative por u ndal edhe tek aksioni politik si dhe reformat e qeverisë së tij.
Opozitës i kujtoi se nuk ka ndërmend të zbrapset nga projekti antikorrupsion.
“Ky projekt do të shkojë deri në fund nën drejtimin e kolegut Fatmir Xhafa pavarësisht nëse do të duan apo nuk do të duan ata që deri tani nuk duan. Do të bëhet publik së shpejti edhe projekti ynë i ri i Shqipërisë transparente që do shlyejë deri në fund borxhin që u kemi akoma qytetarëve lidhur me sasinë dhe cilësinë e informacionit në kohë reale mbi vendimmarjet tona në çdo nivel”.
Poshtë hodhi edhe akuzat për ngjarjen e Pogradecit.
“Qasja e tyre për ngjarjen në Pogradec është një shembull i freskët domethënës për të ilustruar se kush janë ata të gjithë bashkë. Në politikë e në media u mobilizuan për ta manipulojnë dhe mobilizojnë vrasjen e një djali të ri si një dozë helmi për të nxitur urrejtje ndaj nesh. Me shpejtësinë marramendëse të gënjeshtrës për të marrë dhen, u prodhua një film i kronikës së zezë, ku u mblodhën bashkë të gjitha të këqijat e mundshme. Ndërsa komunikata e qartë e Policisë të qarkut Korçë në rastin më të mirë u hodh në cepat e lajmeve dhe të opinioneve mediatike, të cilat i dominoi fantazia kriminale e gënjeshtarëve dhe gjuha ekstremiste e spekulantëve politikë dhe mekanikë”.
Rritja ekonomike dhe veçanërisht ajo e pensioneve tha se janë sfidë për qeverinë e tij. Por realizmi i kësaj të fundit sipas Kryeministrit kërkon ndëshkimin e fenomenit të fshehjes nga sipërmarrësit të pagave reale, që godasin të ardhurat për sigurimet shoqerore, duke vjedhur atë ç’ka i takon kësaj shtrese.
“Ne do bëjmë me kuotat e sigurimeve shoqërore atë që bëmë me energjinë dhe ata që nuk i paguajnë punonjësit sipas pages do t’i trajtojmë si hajdutët e energjisë elektrike”.
Asambleja e Partisë Socialiste miratoi edhe Kryesinë e re të kësaj force politike pas propozimeve të bëra nga Kryeministri Rama.
KRYESIA E RE E PS
Arben Pëllumbi
Albana Koçiu
Anila Denaj
Eduard Shalsi
Erion Braçe
Etilda Gjonaj
Igli Hasani
Klodiana Spahiu
Lindita Nikolla
Toni Gogu
Tv Klan