Vlora ka qenë ndalesa e radhës e turit të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Nga sheshi i “Flamurit” Rama ka kërkuar votën e vlonjateve, duke thënë se ajo do të ndajë të ardhmen e vendit nga e shkuara 18 vjeçare e tranzicionit.

Edi Rama: “Kjo është beteja e të rinjve që nuk kanë perspektivë. Kjo është beteja e sipërmarrësve që nuk kanë liri. Kjo është beteja e nëpunësve që nuk kanë mbrojtje, kjo është beteja e grave që nuk kanë të drejta, kjo është beteja e familjeve që nuk kanë ushqim. Kjo është beteja e Shqipërisë që u rrëzua nga varfëria e Shqipërisë e të sfilitur nga papunësia, e Shqipërisë të kërcënuar nga analfabetizmi, e Shqipërisë të goditur nga dhuna, e Shqipërisë së gërryer nga korrupsioni. Ne do fitojmë sepse Shqipëria nuk mund të humbasë.”

Rama tha, se është i sigurt për fitore në 28 qershor dhe i bëri thirrje kundërshtarit të tij politik të largohet nga pushteti me dinjitet, siç u shpreh ai.

Edi Rama: “Nga ky shesh i Flamurit të atdheut, unë i bëj thirrje Sali Berishës të bëj të vetmen gjë që i ka mbetur, të humbasë me dinjitet duke u distancuar publikisht nga të gjithë ata shërbëtorë të paskrupullt të pushtetit të tij që ushtrojnë presion mbi mësuesit, mjekët, nëpunësit dhe njerëzit e varfër për tua marrë votën me pahir. Ndërkohë i paralajmëroj të gjithë ata drejtorë e shefa që përdorin pushtetin e popullit për të kërcënuar mësuesit, nëpunësit e shtetit, mjekët, njerëzit e varfër dhe të pambrojtur se nuk e ndryshoni dot fatin e kësaj beteje duke i kërkuar votat me dhunë, nuk e shmangin dot humbjen duke blerë vota, nuk e mbajnë dot pushtetin duke vjedhur vota. Prandaj le të shohin veten dhe le ta lëmë kryeplakun e politikës së vjetër me fatin e tij. Ne jemi përgatitur ta mbrojmë votën e popullit më mirë se qe mbrojtëm në Tiranë 2 vjet më parë dhe më 28 qershor do të fitojmë në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë me një rezultat historik që nuk ka forcë që e përmbys në rrugë e mjete të paligjshme.”

Kreu i selisë rozë u shpreh gjithashtu i sigurt se partia Socialiste është e gatshme të marrë përsipër drejtimin e Shqipërisë në 4 vitet në vijim.

Edi Rama: “Ka vetëm një forcë të madhe që mund ta bëjë ëndrrën realitet. Ka vetëm një fuqi të jashtëzakonshme që mund ta fitojë sfidën. Ka vetëm një parti që mund ta mbajë barrën e rëndë të ndërtimit të Shqipërisë evropiane, kjo quhet partia Socialiste e Shqipërisë. Jemi mbledhur këtu sot për ti thënë të gjithë Shqipërisë se Vlora e ka vulosur fitoren e 28 qershorit dhe vula e Vlorës në historinë e këtij vendi janë vula që nuk shlyhen dhe nuk ka forcë që e ndryshon fatin e zgjedhjeve të 28 qershorit që është vendosur nga populli i Vlorës dhe i mbarë Shqipërisë. Është një porosi që e kam dëgjuar në Shkodër, deri në 28 qershor mos rregulloni asgjë nëpër shtëpi se vjen Saliu me gërshërë për të bërë inaugurim.”/tvklan.alGazetar: Fjorald Zguro