Rritja e konkurrencës në tregun e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri si pasojë e kërkesës rregullatore për uljen e tarifave, ka sjellë përfitime të dukshme për konsumatorin.
35 milion euro përllogarit Autoriteti i Komunikimit Elektronik dhe Postar të kursyera nga klientët e kompanive celulare në vend gjatë vitit të kaluar.
Selami Xhepa: “Kjo shtim i konkurrencës është e reflektuar në reduktimin e ndjeshëm të tarifave që varion nga 17-87% dhe me një vlerë për konsumatorët që sipas AKEP-it llogaritet në 35 milion euro. Rezulton për herë të parë, që ne kemi tarifat që janë më të ulëta sesa niveli mesatar i tarifave në vendet e ECD-së dhe në vendet e BE-së”.
Gjatë raportimit vjetor para Komisionit të Veprimtarive Prodhuese Kreu i AKEP-it shprehu bindjen për uljen e mëtejshme të tarifave, si pasojë edhe e futjes së operatorit të katërt celular në vend brenda gjysmës së parë të këtij viti.
Pirro Xhixho: “Padyshim hyrja e operatorit të katërt ne shpresojmë do të jetë një element plus në rritjen e konkurrencës, në krijimin e hapësirave më të mëdha për konsumatorët për të pasur shërbime më kualitative dhe më të lira”.
Një tjetër risi në tregun celular në vend pritet të jetë dhe ofrimi i shërbimit të portabilitetit të numrit, pra mbajtja e të njëjtit numër celulari nga konsumatori edhe me ndryshimin e kompanisë telefonike, si dhe teknologjia 3G në celular, pra ofrimi i internetit më bandë të gjerë.
Pirro Xhixho: “Ashtu si celulari sot është harruar sesa transformim të madh bëri, do shikojmë që edhe 3G do bëjë një transformim akoma dhe më të madh. Ne do hyjmë në një proces ku mbas vendimmarrjes që ka të bëjë me rregulloren e portabilitetit, faza tjetër është implementimi që mendojmë që me të gjitha llogaritjet dhe parashikimet tona mendojmë që brenda vitit 2010-t ne ta implementojmë këtë shërbim. Kjo do jetë një ndihmesë e jashtëzakonshme për konsumatorët”.
Si pasojë e uljes së tarifave telefonike AKEP konstaton dyfishim të thirrjeve dalëse mujore nga konsumatorët për 2009-n e krahasuar me vitin paraardhës, nga mesatarisht nga 30 në 60 minuta. /tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro