Bordi ekzekutiv i fondit Monetar Ndërkombëtar ka bërë rishikimin e pestë të performancës ekonomike të Shqipërisë në kuadër të marrëveshjes 3 vjeçare për reduktimin e varfërisë dhe rritjen ekonomike. Rishikimi mundëson lëvrimin e një shume prej 4 mln dollarësh, që e çon në total 24 mln dollarë shumën e disbursuar për Shqipërinë në kuadër të këtij programi.
Së bashku me këstin e disbursuar, FMN rendit një sërë vlerësimesh për situatën ekonomike në Shqipëri, duke konsideruar vendin tonë si një nga vendet me performancën më të fortë ekonomike. Vlerësimet drejtuesit e FMN-së bëjnë dhe mbi tregun eksporteve apo rritjen ekonomike 6% vitin e shkuar, ndërsa për Inflacionin FMN konsideron se ai në Shqipëri synon nivelin më të ulët krahasuar me bendet e tjera të rajonit.
Sipas FMN-së Shqipëria vazhdon të tërheqë investimin në eksportet e saj tradicionale tekstile dhe këpucë. Financat publike janë forcuar për shkak të miradministrimit të taksave. Rritja ekonomike pritet të jetë 6% edhe gjatë vitit 2008 me një nivel inflacioni nën nivelin 4%. Sektori bankar ka pësuar gjithashtu rritje të shpejtë çfarë ka ndikuar në zhvillimin domethënës të ekonomisë.
Për Fondin Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri po zbatohen politika të favorshme fiskale që përmbushin në mënyrë të konsiderueshme nevojat e Shqipërisë dhe garantojnë stabilitet makroekonomik. Po krahas konstatimit për progresin e arritur këtë vit FMN thekson se reforma në sektorin e energjisë mbetet ende e papërfunduar dhe me kosto ekonomike të konsiderueshme. Sipas këtij institucioni financiar, çdo vonesë në këtë drejtim do ta vështirësonte procesin e privatizimit të këtij sektori./tvklan.alGazetare: Menada Zaimi