Komiteti Ndërministror i Integrimit mori në shqyrtim raportin e dytë të progresit, dokumenti ku bazohet vlerësimi i Brukselit zyrtar për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë. Kryeministri Sali Berisha, foli me tone inkurajuese kur tha se procesi po ecën me ritme të shpejta. Duke përmendur detyrimet e Shqipërisë në këtë funksion Berisha u ndal tek pasaportat biometrike. Shifrat tregojnë se nga 190 mijë pasaporta të printuara, 150 mijë janë në duart e qytetarëve. Aplikimit për pasaportë kanë mbërritur në 201 mijë.
Sali Berisha: “Është rasti t’iu bëj një thirrje të gjithë qytetarëve shqiptar ti marrin këto pasaporta në mënyrë që Shqipëria të realizojë numrin më të lartë të mundshëm të pajisjes së pasaportave biometrike. Qeveria dhe agjencitë që varen prej saj dhe institucionet tjera, në funksion të kërkesave të KE-së për heqjen e vizave janë të detyruar të programojnë të gjitha burimet për të zbatuar masat e kërkuar. Klima është pozitive, ka vlerësim real për arritjet, ka çështje të cilat duhet të zgjidhen. Në programin e qeverisë sonë zotimi është që brenda vitit të parë të këtij mandati të merret vendimi për heqjen e vizave.”
Qeveria shqiptare do të informojnë së shpejti në Tiranë përfaqësues të KE mbi situatën në vend si dhe përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi.
Sali Berisha: “Pritet që të vijnë të dërguar të komisionit për të vlerësuar situatën në vend dhe do kenë takime të zgjeruara me agjencitë. Duhet të përgatitemi që të mund tu japim përgjigjet më të drejta, më të sakta që njohim me të gjithë situatën. Në tërësi puna për udhërrëfyesin ka ecur mirë, por ne duhet të bëjmë vlerësimin më maksimal.”
Kryeministri u shpreh i bindur se Komisioni Evropian ka vullnet të plotë të përshpejtojë këtë proces për Shqipërinë. Në këtë vendimmarrje tha Berisha ka ndikuar numri gjithnjë e më i madh i shtetasve të pajisur me pasaporta biometrike por dhe standardet e arritura në zgjedhjet e 28 qershorit./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi