Shqipëria gjendet në vendin e 53-të në botë përsa i përket lirisë ekonomike. Një renditje e tillë e raportit me te fundit të fondacionit “Heritage” dhe Wall Street Journal, e çon vendin tonë mbi mesataren e botës.
Treguesi për lirinë ekonomike 2010 tregon se Shqipëria ka bërë përmirësim të ndjeshëm nga viti i shkuar me 2.3 pikë.
Në raport thuhet se niveli i lirisë ekonomike gjatë vitit të kaluar u rrit fale rritjes së lirisë në tregti, të drejtave mbi pronën, lirisë nga korrupsioni, dhe atë të krahut të punës.
Pavarësisht krizës financiare botërore, thotë treguesi, Shqipëria u tregua e aftë të ruante një qëndrueshmëri të shëndoshë makroekonomike.
Autoritetet kanë punuar në zgjerimin e biznesit dhe përmirësimin e klimës të të bërit biznes në vend.
Në qoftë se në botë duhen mesatarisht 35 ditë për të hapur një biznes, në Shqipëri kjo është një procedurë që zgjat vetëm 5 ditë.
Raporti thekson se taksa e sheshtë ka arritur në 10% dhe reformat strukturore për zhvillimin e sektorit privat kanë çuar në rritjen e prodhimit dhe konsumit, por mbi të gjitha kanë ulur nivelin e varfërisë në vend.
Treguesit thonë se liria ekonomike në Shqipëri është në të njëjtat nivele me vendet e rajonit si Kroacia apo Maqedonia, në një kohë që liria fiskale, financiare dhe ajo në investime janë madje në nivele më të larta se rajoni.
Raporti thekson se Shqipëria ka arritur të ruajë një normë të ulët inflacioni, në një kohë që qeveria shqiptare vitet e fundit ka vijuar me rritjen e pagave dhe pensioneve.
Me këto të dhëna, raporti i Heritage, e rendit Shqipërinë mbi vendet e rajonit. Sa i takon lirisë ekonomike, vendi ynë lë pas Maqedoninë në vendin e 56, Greqia në vendin e 73, Italia 74, Bullgaria në të 75, Kroacia në vendin e 92, Serbia në të 104-tin dhe Bosnje-Hercegovina në vendin e 110./tvklan.al