Shqiptarët do të lëvizin pa viza në vendet e hapësirës Shengen brenda këtij viti. Deklarata është e Ministrit të Jashtëm të Italisë, Franco Frattini, i cili në forumin për Zhvillimin e Rajonit të Ballkanit, të mbajtur në Gorizia të Italisë; rikonfirmoi qëndrimin e qeverisë italiane për liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës brenda vitit 2010, si dhe mbështetjen e shteteve ballkanike për integrimin në Bashkimin Evropian, për shkak të sinjaleve të qarta pozitive që ato kanë dhënë.
Franco Frattini: “Që Ballkani të arrijë një qëndrueshmëri përfundimtare, së pari Bashkimi Evropian duhet të heqë vizat edhe për Shqipërinë e Bosnjën. Së dyti, të analizojë kërkesat e vendeve që kanë aplikuar për anëtarësim në bllokun 27 anëtarësh. Së treti, t’i japë Kroacisë një sinjal politik, duke mbyllur negociatat për këtë vit, për një anëtarësim në BE në vitin 2011.”
Fratini tha se ky qëndrimi i propozuar dhe promovuar nga Italia do të diskutohet në muajin Qershor në takimin e Sarajevës së bashku me presidencën spanjolle të Bashkimit Evropian.
Në lidhje me Kosovën, shefi italian i diplomacisë tha se e ardhmja evropiane e Prishtinës zyrtare është e qartë, megjithatë, pranoi se vendi ka ende rrugë për të bërë.
Vetëm pak ditë më parë në takimin e tyre në Cordoba të Spanjës ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian miratuan propozimin e Italisë dhe Spanjës për një takim të nivelit të lartë Bashkimi Evropian-Ballkan, që do të mbahet në fillim të muajit Qershor në Sarajevë.
Në deklaratën e hartuar nga Fratini dhe të firmosur edhe nga homologu spanjoll, Miguel Angel Moratinos, thuhet se konferenca e Qershorit do shërbejë për të përforcuar të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit.
Propozimi i dy ministrave bën te qartë përkrahjen e të dyja vendeve për përshpejtimin e integrimit evropian të këtij rajoni./tvklan.al