Kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch, ka përsëritur thirrjen e tij drejtuar Partisë Socialiste për ndërprerje të bojkotit parlamentar, kësaj here nga Vjena ku ka mbajtur përpara këshillit të përhershëm të OSBE-së raportin vjetor për zhvillimet kyçe kanë karakterizuar jetën politike dhe atë ekonomike të Shqipërisë.

Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në atë që Bosch e cilëson si ngjarjen më të rëndësishme për vendin tonë, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2009, ai i ka vlerësuar ato si zgjedhjet më të mira të mbajtura ndonjëherë në vendin tonë.

Zoti Bosch ka raportuar përpara këshillit të përhershëm të OSBE-së se pjesa më e madhe e pretendimeve të Partisë Socialiste për parregullsi dhe shkelje të vërejtura sipas saj para dhe gjatë zhvillimit të zgjedhjeve kanë rezultuara të pavërteta.

Kështu kreu i prezencës së OSBE-së thotë se duke pasur parasysh numrin dhe natyrën e rasteve të raportuara nga Partia Socialiste që i përkisnin regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, pasaktësive në listat e zgjedhësve i hidhnin poshtë këto pretendime.

Shqetësimet e Partisë Socialiste rreth kapaciteteve për prodhimin e një numri të mjaftueshëm kartash ishin në pjesën më të madhe të pabazuara,vijon në raportime tij Bosch ashtu sikurse edhe pretendimet e saj për ndërhyrje të Partisë Demokratike në procesin e kartave të identitetit. Ambasadori jep vlerësimet e tij dhe për punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Duke u ndalur në mënyrë të detajuar në të gjithë ecurinë  e procesit parazgjedhor dhe atë zgjedhor  Bosch jep rekomandimet e tij për opozitën shqiptare.

Sipas tij bojkoti i kësaj opozite duhet të marr fund pasi kryeministri Berisha thotë ai,ka shprehur publikisht gatishmërinë e tij për të arritur deri diku një kompromis, duke i ofruar Partisë Socialiste shumicën e anëtarëve të çfarëdolloj komisioni që mund të krijohet për hetimin e zgjedhjeve, kjo sipas opozitës me kusht që të mos shkelej ligji.

Duke cituar kryeministrin Berisha ai vijon me tej duke thënë  se kreu shqiptar i ekzekutivit i vetëdijshëm për faktin se KQZ ka mbyllur me konsensus procesin zgjedhor, i bëri thirrje Partisë Socialiste që të paraqesë çfarëdolloj ankese që mund të kishte Prokurorisë, si i vetmi organ me kompetencë ligjore për t’u marrë me këtë çështje në këtë fazë, propozim ky i hedhur poshtë nga kryesocialisti Rama që këmbëngul në kërkesën e tij për hapjen e kutive të votimit, duke shkuar dhe më tej më bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme të 15 Nëntorit.

Bosch në raportin e tij thekson se përveç autoriteteve shtetërore vendase autoritetet ndërkombëtare përfshirë këtu dhe prezenca e OSBE-së i kanë kërkuar Partisë Socialiste në mënyrë të përsëritur të marr përsipër përgjegjësit e saj dhe të kthehet  në Kuvend dhe për të luajtur rolin e saj kushtetues si “opozitë konstruktive”.

Kjo përgjegjësi bëhet më e madhe sipas Bosch në kohën kur një sërë reformash të rëndësishme të procesit të integrimit që presin të miratohen.

Duke vijuar raportimin me ngjarjet e pritshme  gjate vitit të ardhshëm, ambasadori e sheh  2010 si vit që do të jetë me rendësi të veçantë për aspiratat e vazhdueshme të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ai e sheh si shumë pozitiv koalicionin e ri qeverisës mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, një koalicion i cili realizohet për herën e parë në historinë e politikës shqiptare kur dy parti politike me prejardhje të kundërta ideologjike bashkohen për të qeverisur vendin.

Në lidhje me planin e integrimit, Bosch vlerëson se pritet të shihet një përpjekje e qartë për të ecur përpara me reformat, por ai sheh si parakusht për suksesin kombëtar rivendosja e konsensusit ndërpartiak për çështje me rëndësi kombëtare që ka ekzistuar deri në pranverën e vitit 2009.

Duke pasur parasysh bojkotin aktual të Kuvendit nga Partia Socialiste, mënyra se si do të arrihet një konsensus i tillë, e për më tepër, si do të ruhet ai me kthimin e Partisë Socialiste, përbën një pikë diskutimi tepër interesante.

Partive politike u duhet ende një vullnet më i madh politik përfundon ai për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare.

Megjithëse kjo do të thotë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv për qeverinë, ajo nënkupton, gjithashtu, se edhe opozita duhet të luajë një rol konstruktiv./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka