Në çeljen e konferencës së 9 të shoqatës së ujësjellës kanalizimeve, kryeministri Sali Berisha ka garantuar se gjatë këtij mandati 4-vjeçar do të shumëfishohen financimet e qeverisë për sistemin e ujësjellësve dhe kanalizimeve si në zonat urbane dhe në ato rurale.
Sipas kreut të ekzekutivit në këtë mënyrë do të ketë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm, një perspektivë kjo e transformimit të këtij sektori jetik.
Sali Berisha: “Jemi zotuar të përfundojmë mbi 14 impiante të kanalizimit të ujërave të zeza. Këto 4 vite financimet e qeverisë do të shumëfishohen në të gjitha fushat, por një filozofi e re e rajonalizimit të shoqërive të ujësjellësve do të zbatohet në bashkëpunim me institucionet serioze ndërkombëtare si Banka Botërore dhe tjera mes investimeve dhe subvencionimeve të mëdha, drejt vlerave të tregut me kushtin më themelor që askush të mos ketë vështirësi në përballimin e faturës së saj. Çka nënkupton një ndërhyje të fortë buxhetore për të gjitha shtresat dhe familjet në nevojë për të kaluar në një stad të ri menaxhimi të ujit. Edhe në përdorimin më racional të tij për vaditje në mbarë vendin.”
Kryeministri u njih nga afër me disa nga projektet e shoqatës së ujësjellës kanalizimeve të prezantuara në një ekspozitë.
Për të tretin vit është vënë në jetë edhe programi i edukimit të fëmijëve të shkollave fillore në të gjithë vendin, i evidentuar dhe përmes vizatimeve nën moton “Uji nëpërmjet syve të fëmijëve”, 12 prej të cilëve morën edhe një certifikatë të dorëzuar nga kryeministri Berisha./tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani