Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Grupet negociatore, ai i Bashkimit Europian dhe ai i kryesuar nga Ministri i Integrimit Sokol Nako, kanë zhvilluar raundin e dytë të bisedimeve në nivel teknik. Për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe BE, grupet negociatore kanë diskutuar lidhur me një nga pikat e draft-marrëveshjes, për lirinë e qarkullimit të punonjësve shqiptarë dhe komunitarë.
Negociatat në këtë pikë synojnë të sigurojnë trajtimin e barabartë, si të punonjësve shqiptarë, por edhe atyre të huaj, të cilët janë legalisht të punësuar, duke shmangur në këtë rast diskriminimet e shtetësisë. Në bisedimet teknike, grupi negociator shqiptar është ndalur në zgjerimin e marrëdhënieve me vendet anëtare, lidhur me punësimin e shtetasve shqiptarë, si edhe në diskutimin, mbi njohjen e diplomave dhe kualifikimeve profesionale.
Grupet negociatore, kanë diskutuar edhe mbi një çështje tjetër, që kanë rëndësi për ekonominë dhe biznesin, mbi përcaktimin e kuadrit ligjor për vendosjen e shoqërive shqiptare dhe komunitare, me të drejta të barabarta, si edhe mbi të drejtat që do t’u jepen këtyre shoqërive për të vepruar në tregjet përkatëse./tvklan.al
Gazetare – Eva Paja