Vladimir Beja: “Partia Demokristiane deklaron e bindur se vrasja e Aleks Kekës nëpërmjet atentatit tragjik është vrasje politike. Ne denoncojmë kryetaren e kuvendit, Jozefina Topalli, për nxitjen e terrorit politik nëpërmjet akuzave dhe shpifjeve kundër përfaqësuesve të Partisë Demokristiane. Partia Demokristiane kërkon nga organet e sigurisë kombëtare, policia, prokuroria dhe shërbimi inteligjent të zbardhin menjëherë ngjarjen dhe të vënë para përgjegjësisë ligjore shkaktarët e kësaj vrasje të rëndë politike.”
Jozefina Topalli: “Ajo që ka ndodh sot në mëngjes është një ngjarje tragjike. I bëj ngushëllimet familjarëve, njerëzve të dashur të njeriut të tyre të dashur që e kanë humbur dhe shfrytëzoj rastin për t’i kërkuar të gjithëve që të mbështesin fort prokurorinë, policinë, të gjitha organet e zbulimit për të bërë të mundur që të bëhet një hetim i plotë i gjithashëm dhe i paqshëm”.
Mimi Kodheli: “Ngjarja e sotme përgjak sërish fushatën zgjedhore të cilën po e tensionon çdo ditë e më shumë gjuha e urrejtjes dhe presioni i pushtetit. Ne i bëjmë thirrje policisë së shtetit të punojë pa u bërë palë me askënd dhe pa u nxituar në përfundime të parakohshme dhe jo profesionale të zbardhë një orë e më parë rrethanat e kësaj vrasje dhe të çojë përpara drejtësisë autorët e saj. Partia Socialiste i bën thirrje shqiptarëve t’i shmangen dhunës dhe të bëhen pjesë e një debati politik qytetar në këto zgjedhje kaq të rëndësishme për të ardhmen tonë duke vendosur me votë dhe jo me dhunë.”
Erla Mëhilli: “Sot humbi jetën pas eksplozionit të makinës qytetari, njëherësh kryetari i Partisë Demokristiane në Malësinë e Madhe, Aleks Keka. Duke shprehur keqardhjen për jetën e humbur Partia Demokratike denoncon partinë e Edi Ramës dhe të Nard Ndokës për të manipuluar rastin e vdekjes së të ndjerit duke nxjerrë si satelit njëri mbas tjetrit zëdhënësat e tyre. Ne kërkojmë nga organet kompetente të zbardhen të gjitha rrethanat e humbjes së jetës së qytetarit Aleks Keka, por gjithashtu denoncoj manipulimin politik dhe paragjykimin aq të ngjashëm me rastin Trebicka.”/tvklan.al