Lajme Arkiva – TV Klan 2003
6 vjet më parë, mesatarja e shkollës së mesme u eliminua ndër kushtet për të konkurruar për shkollë të lartë, ndërsa sot kërkohet të rivihet në funksionim nga Ministri i Arsimit Luan Memushi. Këtë Shtator, testi i përgjithshëm i pranimit në universitete zëvendësohet me mesataren e 4 viteve, shprehet ai.
Gjimnazistët e këtyre viteve, kanë shpresuar të fitonin shkollën e lartë, nga njohuritë e një lënde të caktuar për të cilën konkurronin, duke hequr dorë nga një mesatare e mirë. Shqetësimin e pjesës më të madhe të gjimnazistëve e përcjell Partia Demokrate e Re.
Eno Bozdo:- “Gjimnazistët e sotëm, të të 4 viteve, nuk janë njoftuar më parë për këtë çështje, si rrjedhim, ata janë të papërgatitur, për një ndryshim të tillë kaq drastik. Ne e dimë mirë, se shkollat e mesme janë të ndryshe nga njëra-tjetra, çka do të thotë, që ato nuk garantojnë të njëjtën cilësi mësimdhënie, të njëjtën meritueshmëri të notës dhe si rrjedhim është e vështirë, për të bërë një ekuivalencë të notës dhe të cilësisë së mësimdhënies, të shkollave të ndryshme në të gjitha rrethet e republikës. Në kërkim me çdo kusht të mesatares të arsimit të lartë, do të kemi mjaft probleme në arsimin parauniversitar, sepse Ministria e Arsimit, nuk ka struktura të përgatitura, në lidhje me cilësinë e mësimdhënies”.
Sipas tyre, liberalizimi i pranimeve në universitete, shoqëruar me autonominë universitare, janë zgjidhja e vetme për reformën në arsim./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti