Shqipëria triumfon në Ligën e Kombeve
Shqipëria pati një nisje pozitive në Ligën e Kombeve, duke mundur 2 – 0 Bjellorusinë në Minsk. Një sukses i arritur me ekipin që tregoi disiplinë në mbrojtje duke lejuar pak në pjesën e dytë, por në tërësi zhvilloi një ndeshje të mirë.
Trajneri Edy Reja vlerësoi lojtarët që i dhanë zgjidhje ndeshjes me golin e dytë.
“Pjesën e parë luajtëm shumë mirë, në të dytën Bjellorusia ishte fizikisht më mirë dhe krijuan disa raste. Më pas luajtëm në kundërsulm me Roshin dhe realizuam golin e dytë se ndryshe do të vuanim”.
Ky sukses është një hap përpara në objektivin, vendi i parë në grup sipas Presidentit të FSHF-së, Armand Duka.
“Objektivi jonë është i qartë që të udhëheqim grupin dhe ta fillosh me një fitore në Bjellorusi është një hap shumë i mirë përpara”.
Kjo ishte dhe fitorja e parë për Kombëtaren në fushën e Bjellorusisë. Kuqezinjtë tani i pret ndeshja me Lituaninë të hënën në Tiranë.
Tv Klan