Reja: Kam shumë dilema, kërkojmë vendin e parë në grup
Edy Reja bën publike listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e kombëtares për Ligën e Kombeve kundër Bjellorusisë dhe Lituanisë. 28 futbollistë janë në listë, një numër më i lartë se zakonisht, dhe trajneri jep arsyet
“Kam grumbulluar shumë lojtarë, lista është e madhe. E kam bërë këtë për t’i paraprirë gjendjes jo të mirë të ndonjë lojtari ose edhe infektimit me Covid”.
Në fakt Reja ka të drejtë. Teksa i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, tekniku u informua me mesazh në telefon se Marash Kumbulla është dëmtuar. Veç dilemave për gjendjen fizike, teknike dhe psikologjike të futbollistëve, fushata e Ligës së Kombeve ka shumë enigma.
“Nuk dimë se çfarë do të ndodhe, nuk dimë se si do të reagojë skuadra. Jemi në kushte anormale. Nuk e di se si do të jetë futbolli pa publik, çfarë impakti do të ketë për lojtarët. Askush nuk e di, askush nuk e ka përjetuar më parë. Kemi shumë pikëpyetje, por kemi objektiv të dalim fitues të grupit. Do të doja një skuadër agresive të qartë e të sigurtë që të luftojë për çdo top”.
Jo vetëm kombëtarja shqiptare, por të gjitha skuadrat duket sikur po futen në një zonë me mjegull duke mos e parë qartë se nga është rruga për të dalë, por Reja ka edhe disa elementë për tu qetësuar
“Tashmë kam një mënyrë loje dhe jam i qartë dhe i sigurtë për disa lojtare. Nuk do të bëj ndryshime të mëdha. E vetmja dileme është gjendja fizike e lojtarëve pas pushimit të pandemisë. Do shoh gjendjen e tyre këto ditë pasi kemi ndeshje të vështira, veçanërisht ajo me Bjellorusinë. Shpresoj të bëj zgjedhjet e duhura për lojtarët që do të hedh në fushë”.
Në listën e trajnerit Reja shihen tre emra të rinj futbollistësh. Armando Broja i Chelsea, 19 vjeç, Ramën Çepele i Interit, 17 vjeç, thirren për herë të parë në Kombëtaren A. Hera e parë me kombëtaren A, do të jetë edhe për ish-kapiteni i Shpresave, Qazim Laçi, i cili aktivizohet te Ajaçio në Francë. Florian Kamberi ka ardhur edhe herë tjetër, por ende nuk është aktivizuar në ndeshje. Takimi i parë i kombëtares është në Bjellorusi më 4 Shtator ndërsa 3 ditë më pas ndaj Lituanisë në “Air Albania”.
Tv Klan