Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme ashpërsimin e dënimeve për ata që cënojnë rendin kushtetues dhe zgjedhjet elektorale.

Gjonaj i dorëzoi rekomadimet e qeverisë për luftën kundër kriminalitetit, drejtueses së Prokurorisë së Përgjithshme, Arta Marku, duke theksuar se numri i procedimeve për këto vepra penale është i pakët.

“Duke mbajtur në konsideratë numrin e pakët të procedimeve penale të regjistruara për veprimet që cënojnë rendin kushtetues ose zgjedhjet elektorale, rekomandohet kryerja e hetimeve të shpejta, efektive, dhe ashpërsim të dënimit për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve me qëllim ruajtjen e rendit kushtetues”.

Prioritet i qeverisë për vitin 2019 është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjonaj ngriti shqetësimin se vetëm një numër i vogël çështjesh shkojnë për gjykim sa i takon korrupsionit.

“Nga të dhënat për vitin 2018, rezulton se ka një ulje të numrit të personave nën hetim pavarësisht rritjes së numrit të çështjeve të korrupsionit në krahasim me vitin 2017. Por ajo që përbën shqetësim dhe jam e bindur që bashkohemi në këtë çështje është pikërisht dërgimi për gjykim i një numri të vogël të procedimeve penale, rreth 8.6% të numrit total të çështjeve të regjistruara. Dhe në krahasim kjo edhe me vitin 2017 konstatohet një rënie e numrit të çështjeve, me 112 çështje më pak”.

Prioritet tjetër i qeverisë për këtë vit ështe edhe lufta kundër trafikut të drogës.

Tv Klan